E ardhmja e Armando Brojës mbetet plotësisht e hapur, pasi sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Çelsi gjatë kësaj vere. Sulmuesi nuk ka hapësira te blutë dhe kërkon një skuadër ku të luajë më rregullisht.
Gazetari i njohur, Xhanluka Di Marzo, ka deklaruar për “Sky Sport” se për Brojën ka shumë interes në Serinë A ku emri i tij ka qarkulluar e qarkullon në klube me emër.
“Është një lojtar që i pëlqen shumë Milanit i cili ka kohë që ndjek, ashtu si edhe Xhenoa në vitin e kaluar. Ai mund të ishte një okazion atëherë por pastaj Çelsi bëri zgjedhje të tjera, si dhe pastaj ai vinte nga një dëmtim. Ne fund Xhenoa nuk ia doli ta merrte.
Milani e ka ndjekur me një skaut pikërisht në Dortmund, në ndeshjen e parë me Italinë. Një lojtar i fortë, i cili pëlqehet shumë në Itali, që ka të gjitha karakteristikat e duhura për të bërë mirë në kampionatin tonë. Duke parë që Milani, Napoli, Roma dhe Bolonja po kërkojnë një qendërsulmues, mund të jetë një okazion. Por shifrat janë të larta, kërkesa është mes 25-30 milionë eurove”, tha Di Marzo në programin për merkaton e futbollit italian.