Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mori pjesë në samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën, që u zhcillua më 15-16 qershor 2024 në Bürgenstock, pranë qytetit të Lucernës, në Zvicër.
Spiropali ndau në rrjetet sociale momente nga pjesëmarrja në këtë samit, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj.
“Samiti dyditor i nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën, organizuar këtë fundjavë në Zvicër bëri bashkë rreth 100 udhëheqës e përfaqësues nga mbarë bota dhe ia mbërriti të dakordësojë midis vendeve pjesëmarrëse parametra të përbashkët për paqen në Ukrainë, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kartën e OKB-së”, theksoi Spiropali.
Ministrja Spiropali u shpreh se “paqja e drejtë në Ukrainë do të ishte kontributi më i madh premtues dhe kuptimplotë për domosdoshmërinë e paqes globale dhe dëshmi e faktit se rendin ndërkombëtar nuk e minon dot asnjë tirani, se bota demokratike është më e fortë, se vlerat tona nuk shkatërrohen”.
Samiti u bazua në diskutimet, veçanërisht mbi formulën e paqes në Ukrainë, propozimet e tjera të paqes bazuar në Kartën e OKB-së dhe parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare.