Nga Dolores Alvarez, Il Post
E kam të pamundur të mos pi mbrëmjeve. Alkooli është e vetmja gjë që më heq stresin e grumbulluar gjatë ditës. Sepse kur ndihesh keq duhet të harrosh, dhe kur ndihesh mirë duhet të festosh. Po bisedoja për këtë një ditë me një shoqen time teksa shëtisnim qentë në park. Ajo më tha se tani nuk pinte më prej gati tetë vjetësh.
Deri në atë moment, nuk kisha parë asgjë tek ajo që ta dallonte nga unë. Ndër të tjera, më tha se për të shmangur kontrollet, kishte shkuar aq larg sa të fuste verën tek shishet e ujit të fëmijëve të saj, që të mund të pretendonte se pinte ujë gjatë aktiviteteve të tyre sportive.
Historia e saj më bëri shumë përshtypje, sepse vetëm një ditë më parë kisha shkuar në kinema për të parë filmin dokumentar “Memory” (Kujtesa) nga Mishel Frankos që nis me protagonistin, i cili kremton së bashku me një grup alkoolistësh anonimë, tetë vitet pa vënë alkool në gojë.
Edhe shoqja ime vazhdon të marrë pjesë në mbledhjet e Alkoolistëve Anonimë. “Ai grup më shpëtoi jetën!”- më tha, përpara se të më ftonte në një nga takimet e tyre. Ata organizojnë një takim të veçantë njëherë në muaj për vizitorët, përveç tre takimeve javore për ata që janë anëtarë.
Është ora gati shtatë e mbrëmjes në një premte maji. Rreth famullisë së Santa Maria del Suffragio në Milano, njerëzit takohen për të pirë në një nga baret e shumta të hapura në zonë vitet e fundit. Pak metra më tutje, një grup prej rreth 50 personash përshëndesin njëri-tjetrin, qeshin dhe përqafohen.
Në një qytet ku shoqëria duket se është kthyer në aperitivë, është e çuditshme të shohësh kaq shumë njerëz që mblidhen pa alkoolin si elementin ngjitës. Hyjnë në sallë duke qeshur. Aty ndodhet një tavolinë e madhe drejtkëndore ku ka ujë, çaj të ftohtë, gota plastike dhe disa shporta me ëmbëlsira të të gjitha llojeve.
Një frymë ajri e pastër depërton nga një dritare gjysmë e hapur. Rreth tryezës janë vendosur dhjetëra karrige në formën e radhëve koncentrikë. Ka njerëz që qëndrojnë në këmbë, të tjerë që shtrëngohen për të ndarë karriget bashkë me të tjerët. Disa vijnë me vonesë duke kërkuar falje, dhe duke përshëndetur me dorë që nga dera.
Menjëherë kam ndjesinë se mund të hyjë ndonjëri që e njoh. Në krye të tryezës, sekretari (që zgjidhet një herë në vit nga ata që aplikojnë) dhe zëvendëssekretari (me të njëjtën procedurë) thonë se janë të kënaqur me numrin e të pranishmëve dhe fillojnë ndjekjen e hapave ritualë: ruajtjen e parimit të anonimitetit, 12 hapat dhe traditat e organizatës, duke kaluar më pas tek “turi i mirëqenies”.
Secili nga anëtarët prezantohet duke thënë emrin e tij, e njeh veten si alkoolik, dhe thotë se është i tillë në çdo orë të ditës. Sepse këtu synimi, është të ecet përpara drejt shkëputjes nga alkooli dhe të festohet çdo moment historik. “Kam tre javë që nuk pi!”- thotë një grua e nxirë nga dielli, që mban veshur me një bluzë të bardhë të ngushtë.
Prezantimet vazhdojnë, derisa një djalë rreth të 30-ve me pamjen e një personi shumë të ndrojtur thotë: “Këto janë ditë shumë të vështira për mua. Mendova se isha më i zgjuar se të tjerët, se nuk kisha më nevojë për këto konsultime, se mund t’ia dilja vetë. Por tani jam duke përjetuar rikthimin e simptomave të njëjta”.
Zëri i tij është i ngjirur, ai nuk e ngre kokën kur flet. “E çfarë mund të të shkaktojë vera, thashë me vete, unë di sesi ta menaxhoj situatën. Tani e di që u nxitova”. Dëshmia e tij e prish atmosferën festive, dhe na kujton pse jemi atje. “A pive sot?”- e pyet një 80-vjeçare, anëtare e vjetër e organizatës. “Jo”- përgjigjet ai, duke shmangur shikimin e saj. “Atëherë kjo është ajo që ka rëndësi. Sot ke shpëtuar!”- ia kthen e moshuara.
Njerëzit vazhdojnë të vijnë. Për një moment mundohem të shmang zërat që dëgjoj, dhe nuk mund të ndalem së menduari pse disa pinë dhe disa të tjerë jo. Kur kalohet nga të pirit vetëm në mbrëmje, tek pirja edhe në mesditë, e kështu me radhë. Dhe pse ndodh kjo?
Mendoj për të gjithë njerëzit që njoh, të cilët pinë gjatë gjithë kohës, dhe mendoj edhe për veten time që nuk mund të rri dot pa pirë alkool mbrëmjeve. Shoqja ime thotë se në rastin e saj, ishte një spirale me një rritje pothuajse e padukshme. “Dhe të mendosh që dikur vera ma neveriste…”- thotë ajo.
Në fillim pinte, para se të dilte darkave për t’u dukur më simpatike (ajo është dhe sot shumë e bukur ). Më pas filloi të pinte edhe në periudha të tjera të ditës, derisa përfundoi duke pirë dy birra holandeze 900 ml me përmbajtje alkooli 10.5 për qind që në orën 7 të mëngjesit, para se të shkonte në punë.
“I pija ulur përtokë si një grua e dëshpëruar”- kujton ajo. Ndërkohë faza më e rëndë nisi ditën kur ajo nuk shkoi në shtëpi për të fjetur. E dëshpëruar, familja e kërkoi gjithë natën. E ëma e priste gjithë ankth para shtëpisë, dhe kur u kthye e goditi me shuplakë para fëmijëve të saj – tashmë të rritur – si të ishte një fëmijë i vogël.
Ajo skenë e rëndë nuk i la rrugëdalje tjetër. E përsërit disa herë se është falur tashmë nga familjarët. Që nga dita e parë e mbërritjes tek “Alkoolistët Anonimë” nuk ka pirë asnjëherë alkool. Nuk ka pasur as edhe një rast episodik. Një djalë ulur pas meje ngrihet dhe thotë: “Jam Filipo dhe jam një alkoolist. Kam kaluar ditë shumë të vështira, në të cilat praktikisht nuk arrija të flija”.
Atmosfera tendoset. Papritur, një buzëqeshje që i nderet në fytyrë kontraston me fjalët që i dalin nga goja: “Së fundmi jam bërë baba”- thotë ai dhe në sallë shpërthejnë duartrokitjet.
Mban veshur një bluzë ngjyrë blu, këpucë kamoshi, dhe tregon se dikur jetonte në të ardhmen, duke imagjinuar se çfarë do të bëhej, çfarë do të kishte dashur; para, një makinë të re, më shumë sukses. Sot mendon për pelenat e fëmijës dhe e kupton se përse funksionon grupi. Mjekët po e studiojnë, por nuk e dinë se si ndihen këta njerëz.
“Ndërsa po flisja me një grup nënash mbi problemet e gjumit të të porsalindurve, kuptova pse ndihem kaq mirë këtu. Këtu nuk kemi nevojë as të flasim”- më tha njëra prej tyre. Ndjenja e të qenit i sigurt duket e mirëqenë. Ka nga ata që thonë se nëse je keq, mjafton vetëm të telefonosh: “Ata nuk të pyesin as si je, sepse e dinë tashmë”.
Nevoja për të ditur se për çfarë po flasim dhe çfarë ndjejnë të tjerët, lindi në vitin 1935, kur dy të alkoolizuar, agjenti i bursave në Wall Street, Bill U. – që në vitin 1999 u rendit nga revista Time ndër qindra njerëzit më të rëndësishëm të shekullit XX- dhe kirurgu nga Ohajo Bob Smith, e kuptuan se duke ndarë përvojat e tyre, e ndihmuan njëri-tjetrin dhe ia dolën të qëndronin larg alkoolit.
Me një qasje shumë pragmatike dhe jo moraliste, ata zbuluan se një alkoolist që ka ndaluar së piri, ka më shumë aftësi për të ndihmuar tjetrin, sesa një alkoolist që është ende duke pirë. Duke treguar rrugën e shkëputjes nga alkooli, ata ndihmojnë të tjerët por edhe veten në të njëjtën kohë, duke ruajtur dhe konsoliduar abstinencën e tyre.
Mundohem të kuptoj se cilat janë profesionet e tyre, por tek “Alkoolistët Anonimë: zbatohet rregulli i anonimitetit. Jemi të gjithë njësoj: amvisa, menaxherë, gjykatës. Megjithatë arrij të zbuloj se ka një gazetar, një kasap, një punonjës banke, një mjek, burra dhe gra pensionistë. Shpejtësia marramendëse e jetës në qytet, ankthi i performancës, zhgënjimi, karriera, pasiguritë, zemërimi. Ajo që mungon, janë ndjenja që shpesh kthehen në narrativa, në të cilat çdokush mund të gjejë veten. E parë nga larg, mund të duket si një botë paralele. Është një efekt i çuditshëm.
E të mendosh që vetëm disa metra më tej, në të njëjtën kohë kur një grup heterogjen njerëzish takohen për të luftuar një varësi që u është kthyer në sëmundje (në vetë-menaxhimin total të vetes dhe pa mbikëqyrjen e mjekëve, psikologëve etj.), grupe të tjera marrin pjesë në ritualin e socialitetit të një vendi, që ndër përbërësit kryesorë (dhe të pashmangshëm) ka edhe alkoolin.
Janë dy botë të lidhura, më shumë se sa mund të duket. Mund t’i kaloni nga njëri tek tjetri, pa e perceptuar dot ndryshimin. “Alkoolistët Anonimë” janë të pranishëm në mbi 160 vende të botës, me më shumë se 100 mijë grupe që kultivojnë vetë-ndihmën. Personi ulur ngjitur me mua, më thonë se i është rikthyer këtij rrugëtimi pikërisht dhe vetëm falë kësaj qasje.
U largova prej andej me ndjenjën se kisha vizituar një realitet tjetër, shumë afër timit. Të nesërmen takova sërish shoqen time. I tregova se aperitivin e parë e kam pirë kur isha 40-vjeçe. Në fillim pija shumë rrallë, pastaj m’u hap një botë që deri atëherë kishte mbetur paralele: ajo e çlirimit. Sa bukur është të jesh në gjendje të mos mendosh vazhdimisht, të braktisësh veten për disa orë, edhe nëse mendimet e tua shumëfishohen të nesërmen.
Për ata që pinë, gjesti nuk ka të bëjë vetëm me ndjenjën e shijes, por edhe me një rrezik që në thelb është magjepsës dhe i rrezikshëm, atë të humbjes së kontrollit. Unë njoh një grua që nuk pi më për këtë arsye: përveçse nuk i pëlqen shija e alkoolit, nuk i pëlqen ta humbasë kontrollin.
Shoqja ime më thotë se sipas disa studimeve, gjenetika është një nga shkaqet e alkoolizmit. Në fakt, probabiliteti për të zhvilluar një varësi ndaj alkoolit është deri në 30 për qind më i lartë tek fëmijët e të alkoolizuarve. Por mund të jetë edhe një çështje imitimi, sepse konteksti familjar ka peshën e tij: edhe fëmijët e prindërve birësues me probleme alkoolizmi, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë varësi.
Në vitin 2018, një studim nga grupi i punës për Çrregullimet e Përdorimit të Substancave në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit – me 15 mijë alkoolikë dhe gati 38 mijë individë pa varësi, i ashtuquajturi grup kontrolli – tregoi se alkoolistët kanë një version të gjenit që e lehtëson konsumimin e sasive të mëdha të alkoolit. Pastaj janë kontekstet sociale dhe ekonomike, presionet, mediat sociale. E sigurt është se ndryshe nga sa mendohej dikur, alkooli nuk t’i zgjidh hallet që mund të kesh.