Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një supermarket në Arkansas të SHBA-ve, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë. Mes të plagosurve janë dhe dy policë.
Po ashtu, raportohet se mes të plagosurve është dhe vetë autori i dyshuar.
Të shtënat ndodhën në dyqanin ushqimor “Mad Butcher” në Fordyce, një qytet me 3200 banorë rreth 100 kilometra në jug të Little Rock. Deri më tani nuk dihen rrethanat dhe motivet se si ka ndodhur ngjarja.
Guvernatorja Sarah Huckabee Sanders shkroi në platformën e mediave sociale X se ajo ishte e informuar për incidentin. “I jam mirënjohëse forcave të policisë dhe atyre që u përgjigjën së pari për veprimin e tyre të shpejtë dhe heroik për të shpëtuar jetë”, tha ajo.