Testet kundër Ukrainës dhe Greqisë e kanë zbehur disi evoluimin e skuadrës së Julian Nagelsman. Pas fitoreve bindëse kundër Francës dhe Holandës u mendua se ata ishin gati për t’u përballur me çdo rival në fushë, por miqësoret e fundit tregojnë se Nageslam e ka “kantierin” ende në proces për Europianin.
Florian Virc ka dashur t’i harrojë këto dy ndeshje dhe u ndal te pikat e forta të Gjermanisë. Ai foli në lidhje me partneritetin përkrah Musialës, sikurse gjeti edhe të përbashkëta e “Pancerave” me Leverkusenin.
E PËRBASHKËTA – “Bajer i tregoi botës se çfarë është në gjendje të bëjë, aty ku nuk e identifikojnë individët, por forca e grupit. Ne e mbyllëm Bundesligën dhe Kupën pas asnjë disfatë, pavarësisht se i shkuam humbjes shumë pranë në disa takime. Të njëjtën uri dhe frymë pikas edhe në kombëtare. Ky detaj më motivon se mund të shkojmë shumë lart. Hymë në pjesë e dytë kundër Greqisë me mentalitetin fitues dhe e finalizuam misionin. Kemi besim se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Të luash përballë tifozërisë do të jetë vërtetë speciale”, tha lojtari më i shtrenjtë i Bundesligës sipas mediumit ekspert të “transfermarkt” (130 mln euro).
KOMBINIMET ME XHAMAL – “Musiala dhe unë shkojmë shumë mirë bashkë, jo vetëm në fushën e blertë. Nuk më pëlqen kur krahasohemi nga specialistët të futbollit apo media. E rëndësishme të jemi të suksesshëm dhe të ndihmojmë sa më shumë përfaqësuesen në këtë turne kaq prestigjioz. Kjo ka më shumë rëndësi. Personalisht e konsideroj kënaqësi të madhe të luajë përkrahë Xhamalit. Ai ka cilësi të pabesueshme dhe merremi shumë mirë vesh në kombinime”, përfundoi ai që u zgjodh lojtari i vitit në Bundesligë, Florian Virc, i cili ia doli të linte pas edhe goleadorin e Europës, Herri Kejn.
STATISTIKAT – Virc kontribuojë me klubin e tij në edicionin 2023-2024 plotë 38 gola (18 gola, 20 asiste) përgjatë 49 takimeve, e përkthyer me futbollistin me statistikat më të mira nga kampi i Gjermanisë, pavarësisht profilit të tij sepse ai është mesfushor i avancuar. Musiala nga krahu tjetër qëndron më poshtë në shifra. Ai është inkuadruar 38 takime, e pasuar me 12 finalizime dhe 8 shërbime në favor të ekipit. Gjithsesi, përtej përfshirjes në rrjedhë goli, “Bambi” vlerësohet aset në shpërndarjen e lojës dhe krijimin e hapësirave në zona të ngushta, teksa gëzon teknikë të larte me topin në këmbë.