Në Tiranë, u mbajt konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij u ndal te rëndësia e të drejtës për informimin dhe për këtë njoftoi një tjetër konferencë.
“Jam krenar për komisionerin tonë dhe zyrën tonë të komisionerit. Është e jashtëzakonshme. Dhe fakti që zyra e komisionerit vlerësohet shumë lart përgjatë këtij rrugëtimi tonë.
E drejta për informim është parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale. Në fund të qershorit, do të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme vjetore për të drejtën e informimit, që e kemi konceptuar si ballafaqim midis fakteve dhe institucioneve ndërmjet asaj që shkruhet në ligjet tona dhe asaj që zbatohet. Se nuk është çështja vetëm të kemi ligje, por edhe t’i zbatojmë ato. Jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por jemi të vetëdijshëm që nuk jemi suedez”.
Kryeministri vuri theksin te teknologjia, që ashtu sikurse është bekim, sipas tij, vjen me një mallkim: mundësinë që të përdoret për keqinformim.
“Ne jetojmë në një bekim të madh, që është teknologji. Kjo teknologji na jep jë mjet që deri disa dekada më parë nuk ishte i pranishëm. Besoj po kështu që ky bekim vjen me një mallkim, që është kapaciteti, aftësia që kjo teknologji të përdoret për qëllime keqinformimi. Na takon ne ta përdorim sa më mirë”.