Nëse për pushimeve verore mund të keni në mendje Greqinë apo Maldivet, ka një vend të ngjashëm me to që mund t’ua përballojë xhepi.
Kështu nis një reportazh i gjatë i prestigjiozes britanike “The Sunday Times” për Shqipërinë.
Gazetarja Johanna Thomas-Corr e ka vizituar vendin tonë se bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët duke përshkuar vendin nga veriu në jug.
E nisi nga Lezha për një eksperiencë ndryshe me natyrën, por rekomandon edhe Thethin të cilin ua këshillon atyre që kërkojnë ecje të gjata në natyrë.
Më pas vjen Kruja, për të vijuar me plazhin e Durrësit, për të cilin thotë se i përshtatet çdo familjeje. Një ndalesë edhe në amfiteatrin romak të qytetit.
Pa vizituar nuk duhen lënë as Berati e Gjirokastra, trashëgimi të UNESCO. Më pas, riviera e jugut për tu ndalur në Ksamil që sipas “The Sunday Times” nuk është habi pse tashmë krahasohet me Mikonos dhe Ibizën.
Nuk mungojnë sugjerimet për menunë për të cilën nënvizohet se është sa e ngjashme aq edhe e veçantë nga vendet e tjera të Ballkanit.
Pas vizitës në Tiranë, gazetarja britanike bindet se paragjykimet kishin qenë krejtësisht të gabuara. Vihet në dukje transformimi që ka pësuar kryeqyteti pas regjimit komunist.
“Duhet të vini në Shqipëri sepse është Shqipëria e re, një vend me histori, kulturë dhe gjuhë unike, njerëz jashtëzakonisht miqësorë dhe ka disa nga vendet më të mira në botë”, e mbyll gazeta britanike.