Tranzicionit të vendeve të Lindjes në fundin e viteve `80 dhe fillimin e viteve `90 nuk mund t’i shpëtonte as Shqipëria komuniste. Përfaqësuesja jonë u pozicionua në Grupin 1 të eliminatoreve të “Suedi 1992” së bashku me Francën, Çekosllovakinë, Spanjën dhe Islandën.

Ashtu si në eliminatoret e shkuara, kuqezinjtë e Bejkush Birçes u renditën në vendin e fundit në grup, por ndryshe nga eliminatoret e “Gjermani P. 1988”, të cilën Shqipëria e mbylli në kuotën e 0 pikëve pas 6 ndeshjesh, kësaj radhe Kombëtarja arriti një fitore.

Në “Qemal Stafa” me Islandën 1- 0, falë golit të Abazit (65′), kuqezinjtë morën 2 pikët e para dhe të fundit. Kujtojmë që në portën e Anesti Arapit u shënuan 9 gola nga Spanja në Sevilje (më e thella në një ndeshje kualifikuese zyrtare në Evropian, por edhe në kualifikueset e “Suedi 1992”). Në “Ramon Sanchez Pizjuan”, “furitë e kuqe” do ta hapnin siparin e golave në minutën e 19-të me Guijermo Amor Martinez, ndërkohë që Butragenjo do t’i shënonte portierit të Flamurtarit një poker personal. Ndeshja në Tiranë me iberikët nuk do të zhvillohej për shkak të trazirave që kishin përfshirë kryeqytetin.

UEFA vendosi që takimi i fundit në Grupin 1 më 18 dhjetor të vitit 1991 të mos rikuperohej. Spanja, një nga favoritet për të kaluar bashkë me Francën, nuk u kualifikua dot. Këto eliminatore do të kujtohen gjithashtu edhe për faktin se përpara ndeshjes me Francën u arratisën Kaçaçi, Ibro dhe Leskaj, ndërsa pas saj edhe katër të tjerë, Kepa, Gjergji, Suka dhe Rudi Vata.

“Gjelat” e Platinisë arrinin të fitonin 1-0 në “Qemal Stafa”, ndërsa na shpartallonin 5-0 në Paris. Ata u kualifikuan në finalet e “Suedi 1992”, duke vendosur rekord (ekipi i parë që i fitonte të teta ndeshjet në një fazë kualifikuese). Por gjatë finaleve nuk do të shkonin më shumë se vendi i tretë në Grupin 1, duke u rikthyer në shtëpi nga Danimarka, e cila u shpall kampione Evrope.