Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u largua nga Britania e Madhe, i lirë, pasi arriti një marrëveshje me autoritetet amerikane për pranimin e fajësisë mbi akuzat për spiunazh që e kanë ndjekur për më shumë se një dekadë. WikiLeaks publikoi pamjet e Assange duke dalë nga burgu Belmarsh në Londër, ku ai ka qëndruar atje për pesë vjet.

Më pas ai hipi në një avion privat që u ul në Bangkok, Tajlandë për t’u furnizuar me karburant. Assange ka qenë në kërkim që nga viti 2010 kur WikiLeaks publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara ushtarake amerikane mbi luftërat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak së bashku me një sërë kabllogramesh diplomatike.

WikiLeaks dha lajmin me një postim në X ku shkruhej: Julian Assange është i lirë!

Të mërkurën, Assange do të dalë para një gjyqtari në kryeqytetin Saipan, ku do të deklarohet fajtor për një akuzë në lidhje me Aktin e Spiunazhit. Ai nuk do të duhet të vuajë një dënim me burg sepse Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së do të marrë parasysh kohën që ai ka vuajtur tashmë në burg në MB.

Fluturimet me çarter, të cilat kushtojnë 500,000 dollarë, u financuan nga qeveria australiane, por Assange do t’i paguajë me fondet e fushatës.