Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me drejtues të arkivave të rajonit dhe më gjerë, për të shkëmbyer ide dhe përvoja mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.
Në sallën shumëfunksionale të DPA-së të përuruar së fundmi, u mblodhën përfaqësuesit më të lartë të institucioneve arkivore të Egjiptit, të Turqisë, të Izraelit, si edhe të vendeve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Jugore.
Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se arkivat kanë mundur të tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke arritur një shkëmbim kulturor të domosdoshëm për të kuptuar të shkuarën historike. “Kur flasim për arkivat është e pamundur t’i ndajmë sipas kufijve shtetërorë. Nuk mund të shkruaj historinë e shqiptarëve pa patur dokumente nga arkivat osmane, pa dokumentet e arkivave të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Moldavisë, të Kosovës, pa dokumentet e rilindasve tanë në Rumani, në Bullgari apo në Ukrainë. Nuk mund të shkruajmë historinë pa patur akses në arkivat tona, do të ishte e padobishme. Arkivat, duke qenë trashëgimi e pazëvendësueshme, janë përgjegjëse për ruajtjen, për administrimin dhe shërbimin e dokumenteve dhe nuk mund ta përmbushim këtë detyrë pa bashkëpunim dhe transparencë, me qëllim që të administrojmë në mënyrë eficente materialet që zotërojmë.”, tha Bido.
Gjatë fjalës së tij, Bido theksoi se duke bashkëndarë përvojat, ekspertizën dhe burimet njerëzore, arkivat do të ndërtojnë një rrjet të gjerë studiuesish, të cilët do t’i qasen dokumentacioneve lirisht dhe në mënyrë të barabartë. “Për ta bërë më të lehtë për studiuesit për të konsultuar dokumentet, arkivat janë të hapura për publikun. Sigurisht, kemi përgjegjësi për të bërë përpjekje të tjera për të forcuar bashkëpunimin mes nesh, në përputhje me marrëveshjet dhe konventat. Duke krijuar lidhje mes punonjësve tanë, ne arrijmë të shkëmbejmë përvojat. Ne ndajmë të njëjtat qëllime, jemi të hapur për shqiptarë dhe të huaj. Shërbejmë pa dallim. Përpiqemi të ndërtojmë një rrjet me studiues, nga Ballkani, nga Ukraina në Itali, në Turqi, në Izrael. Jemi përpjekur të bëjmë teknologjinë mënyrën tonë të të shërbyerit të dokumenteve. Kemi studiues të huaj që marrin dokumente nga arkiva jonë. Kjo është mënyra se si duhen bërë gjërat. Ne kemi investuar në digjitalizim, në restaurim, në vendruajtjen e dokumenteve, në aksesin online për të gjithë, kudo ku janë. Në fund të vitit, do të publikojmë Videotekën që zotërojmë. Po ashtu, do të çelim Muzeun Arkivor, ku edhe të huajt do të kenë mundësi të krijojnë një këndshikim mbi historinë dhe jetën e shqiptarëve.”, përfundoi Bido.
Në vijim, e mori fjalën drejtoresha e Arkivit të Bosnjes dhe Hercegovinës, Danijela Mrda, e cila e vlerësoi këtë tryezë si një mundësi shumë të mirë për të diskutuar mbi sfidat përballë arkivave dhe mbi projektet e tyre për të ardhmen. “Shpreh mirënjohjen për ftesën për pjesëmarrje në këtë 75-vjetor të DPA-së. Shpresoj që këto ditë do të jenë një mundësi për të shkëmbyer ide, për të diskutuar për projektet e së ardhmes dhe për të hapur horizontet tona. Ne, arkivat, jemi përgjegjëse jo vetëm për ruajtjen e historisë, por edhe për ta ndarë, për ta komunikuar dhe për ta bërë të disponueshme. Për të hapur arkivat për të gjithë qytetarët. Kjo do jetë një ndihmesë për ne, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ne ende vuajmë nga sëmundjet e të shkuarës.”, tha Mrda.
Mes kumtuesve, gjendej edhe drejtuesi i të Portalit të Arkivave Europiane, Szatucsek Zoltan, i cili tha se arkivat duhet të përbashkojnë popujt nëpërmjet duhet trashëgimisë së tyre kulturore. “Kemi ambicien dhe vullnetin për të bashkuar trashëgiminë arkivore europiane dhe përtej saj. Kufijtë ekzistojnë në nivelin politik, por jo në nivelin kulturor. Aq më pak, në nivelin e trashëgimisë arkivore. Kush tjetër përveç arkivave duhet të punojë për ribashkimin e trashëgimisë kulturore të vendeve?!”, tha Zoltan.
Në përmbyllje të aktivitetit, e mori fjalën kreu i Shërbimit Shtetëror Arkivor të Ukrainës, Anatolii Khromov, që përshëndeti rëndësinë që DPA-ja i ka dedikuar procesit të digjitalizimit në ruajtjen e dokumenteve. “75-vjetori demonstron një proces të gjatë zhvillimi të arkivit tuaj. Kjo ngjarje krijoi mundësinë për të firmosur një marrëveshje bashkëpunimi, që nuk është vetëm simbolike, pasi koleksionet që ne ruajmë përbëjnë dokumente të rëndësishme për popujt tanë. Kemi vizione të ngjashme sepse besojmë se mënyra parësore për të ruajtur dokumentet dhe historinë është digjitalizimi. Për ne, ky takim është mundësi shumë e mirë për të forcuar bashkëpunimin tonë, edhe pse Ukraina po kalon një peridhë të vështërë.”, tha Khromov.
Pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësues të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Bullgarisë, të Arkivave Shtetërore të Kroacisë, të Autoritetit të Përgjithshëm për Arkivin dhe Bibliotekën Kombëtare të Egjiptit, të Arkivave Kombëtare të Hungarisë, të Qendrës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, të Arkivit Qendror i Italisë, të Arkivit të Barit, të Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë, të Arkivit Shtetëror të Malit të Zi, të Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Arkivit Kombëtar të Rumanisë, të Arkivave të Drejtorisë së Përgjithshme të Regjistrimit dhe Kadastrës Turke dhe të Arkivave Shtetërore të Presidencës së Republikës së Turqisë.
Ky takim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që po mbahen me rastin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së. Në një kalendar të ngjeshur kushtuar këtij përvjetori jubilar, do të mbahet një ceremoni kremtuese, si edhe do të organizohet Konferenca e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës. Po ashtu, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi me Moldavinë dhe me Bosnje-Hercegovinën, krahas marrëveshjes së nënshkruar ditën e djeshme me Ukraninën.