“Kokën lart me punën që ka bërë PS, sa herë që ka drejtuar Shqipërinë dhe Tiranën”. Kështu deklaroi Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me strukturat e Njësisë 9, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Veliaj tha se sot vendi ynë është numri një i turizmit në Europë.
“Sot Tirana është numri një i turizmit në Europë; sot Shqipëria është numri një i turizmit në botë, krahasuar me të gjitha vendet e tjera për nga numri i popullsisë dhe për rritjen që ka pasur pas vitit 2019-2020. Kjo do të thotë se kur qeverisin socialistët dhe kur këta shqiptarë të mirë angazhohen në këtë familje të madhe, dinë të bëjnë shtet, dinë të bëjnë qytet, dinë t’i ngrenë kokën lart vendit”, tha ai.
Veliaj u shpreh se sot Tirana, në bashkëpunim me qeverinë, ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. “Sot jemi shumë krenarë që Tirana ishte me shumë sukses Kryeqyteti Europian i Rinisë. Patën mundësi mijëra të rinj që të vijnë për aktivitete. Pastaj, patëm vitin e Sportit. Sivjet kemi Presidencën e organizatës më të madhe të bashkive në Ballkan, ku vijnë bashkitë e tjera të mësojnë. Vitin tjetër do të kemi nderin që Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. I Kulturës dhe Dialogut sepse kur qeverisim ne, ka kulturë dhe ka dialog. Kur qeverisin ata ka dhunë, djegie, ka shkatërrim. Kjo është një diferencë shumë e madhe”, deklaroi Veliaj.
Ai deklaroi se shkollat janë standardi më i lartë sot në të gjithë rajonin tonë. “Sot shkollat e reja, sidomos ato që u ndërtuan me gjithë iniciativën pas tërmetit, janë sot shembull. Dhe një pjesë e turistëve, sidomos ata që merren me mësimdhënie, me jetën komunitare, janë pjesë e shoqatës së prindërve, pjesë të itinerarit kanë edhe që të shohin sesi është një shkollë publike në Tiranë, që janë të gjitha model edhe për nga cilësia e mësimit. Kur i dëgjoj këta s’kanë bërë asnjë shkollë, them, këta lodhen pse dëgjojnë emrat e shkollave. Ne kemi bërë më shumë shkolla seç kanë hedhur ata bomba molotov. Edhe pse kanë hedhur shumë, ne kemi bërë më shumë shkolla seç kanë hedhur ata bomba”, nënvizoi Veliaj.
Ai siguroi se edhe kjo verë do e gjejë Bashkinë e Tiranës në punë për të mbajtur premtimet e bëra. “Është momenti kur ne punojmë më fort sepse shumica e njerëzve janë me pushime dhe lirohen akset rrugore, që ne të lëvizim me mjete të rënda. Edhe kjo verë nuk do të jetë ndryshe dhe vera tjetër, në fakt nuk do të jetë ndryshe, pavarësisht se ka zgjedhje, se kush punon, punon përditë, nuk i lë për ditën e fundit. Kush mundohet, mundohet përditë, kush i përgjigjet komunitetit është me ata përditë dhe kush i ka qëndruar besnik, fjalëmbajtur dhe plot me punë të përkthyera në realitetin që ka ndryshuar dhe transformuar ka vetëm një përgjigje, ka vetëm një emër, është familja jonë, skuadra jonë”, deklaroi Veliaj.