Dy godina të reja në lagjen “5 Maji” në Tiranë janë në përfundim dhe shumë shpejt do të strehojnë familjet e prekura nga tërmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punën e bërë deri tani dhe theksoi se mundi ia ka vlejtur, pavarësisht bllokimeve dhe djegiet e gomave nga opozita. Ai tha se Bashkia e Tiranës sulmohet pikërisht sepse kundërshtarët nuk bëjnë dot një punë për qytetarët.
“Këtu kemi një super skuadër të re inxhinerësh, administratorësh, arkitektësh, të cilët kanë bërë një mrekulli te “5 Maji”. Kush merr vendimin pyet veten: A ia vlen gjithë ai sherr? Gjithë ato gjyqe? Gjithë ato bllokime dhe djegie gomash? Gurët dhe molotovi? Kur vjen këtu dhe takon njerëzit, kur shikon se si ka lulëzuar jeta këtu, si është hapur një kapitull i ri në jetën e këtyre familjeve, përgjigja është shumë e qartë: Ia vlen që çke me të! Besoj fort se një nga arsyet pse Bashkia e Tiranës sulmohet kaq shumë është pikërisht sepse kundërshtarët tanë nuk e bëjnë dot këtë punë; nuk e bënin dot as kur kishin mundësi të ndërtonin një shkollë, jo më të bëjnë 42 shkolla të reja dhe të japin 784 apartamente në zonën e ‘5 Majit’”, tha ai.
Veliaj dha lajmin e mirë se nga rehabilitimi i kësaj zone do të përfitojnë edhe pronarët e tokës, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur legalizim. Ai tha se në katet e para është menduar të ofrohen shërbime për banorët e komunitetit, me supermarkete, farmaci apo dyqane fruta-perime.
“Me të mbaruar kolaudimin e paketës prej 50 apartamentesh do të hedhim shortin. Për sa kohë kemi 284 famije të tjera, që do të futen në këto banesa të reja, besoj i kemi dhënë një leksion të gjithë banorëve këtu. Praktikisht është krijuar një komunitet sepse ndryshe është kur është pallati yt tek pullë dhe ndryshe kur popullohet e gjithë lagjja. Lajmi tjetër i mirë është se sapo na kanë kaluar në administrim parkingjet dhe katet e para, të cilat do të shërbejnë për supermarket, farmaci, për shërbime të tjera fruta-perime. Të gjitha hapësirat e tjera të nevojshme, kryesisht do të shkojnë për të kompensuar ish-pronarët e këtushëm, për t’u siguruar që askush nuk mbetet i humbur nga tërmeti. Pra, fitojnë edhe ata që transferohen në shtëpitë e reja, por fitojnë edhe pronarët e tokës, që në fakt, pjesa më e madhe ishin ose me shtëpi të palegalizuara ose të ndërtuara keq, pa urbanistikë, pa infrastrukturë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se gjatë muajve të verës, kur shumica e banorëve largohen me pushime, do të shfrytëzohet për të përfunduar asfaltimin e zonës. Ai tha se është menduar që shorti për ndarjen e apartamenteve të bëhet në muajt e verës, në mënyrë që në shtator banorët të jenë gati për të hyrë në shtëpitë e reja.
“Kur njerëzit ikin me pushime, ka më shumë hapësirë për të lëvizur mjetet e rënda për punimet e asfaltit. Kur të kthehen nga pushimet, banorët do të shikojnë një lagje të re. Madje, duke e hedhur shortin më përpara, iu japim edhe muajt e verës që të planifikojnë orendimin dhe mobiliet, që ta fillojmë me këmbë të mbarë”, tha Veliaj.