Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se sot qyteti është shumë herë më i pastër se më parë. Gjatë takimit me socialistët e Ndroqit, Pezës dhe të Vaqarrit, Veliaj tha se është e mbushur me turistë të shumtë, çka ka krijuar nevojën që të shtohen shërbimet e bashkisë për qytetarët.
“Me shtimin e turistëve janë shtuar edhe problematikat; janë probleme të botës së parë, me të cilat përballet çdo qytet i madh. Është shtuar trafiku sepse turistët marrin makina me qira, për të shijuar rrethinat dhe natyrën. Janë shtuar edhe mbeturinat sepse shumë prej shtëpive në pronësi të emigrantëve, që jetojnë jashtë dhe vijnë një herë në vit, gjatë nëntë apo dhjetë muajve të tjerë i japin me qira. Nëse do të ishim ende duke u marrë me tërmetin, me njerëzit në rrugë, në çadër e kontejner, atëherë nuk do të ishim këtu duke folur për turizmin. Jemi këtu sot sepse falë PS i kemi kaluar bashkë edhe ditët e mira, edhe ditët e këqija”, tha ai.
Veliaj deklaroi se PS-ja është e vetmja forcë që mund ta çojë vendin përpara. “I kemi harruar ditët e karantinës. Imagjinoni të ishim në dorë të doktor qoftë largut për vaksinat. Një njeri që nuk ka shëruar asnjë njeri në jetën e vet. Përkundrazi, ka internuar njerëz, por të ketë shëruar jo. Imagjino të ishim në dorë të tyre për tërmetin. Imagjino që këto sfida të mëdha të na gjenin me shtëpinë rrëmujë dhe me një qeveri që nuk di nga lidhet gomari. Në këtë faze që jemi sot, ne mund ta çojmë vendin vetëm më përpara”, deklaroi ai.