Njësia 4 ishte ndalesa e radhës e drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në vijim të turit e mirënjohjes me strukturat socialiste në 33-vjetorin e themelimit të saj. Në fjalën e tij, Veliaj tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve.
“Më vjen mirë që, me mbarimin e projektit në Kinostudio dhe lidhjen me Unazën, shpëtojmë edhe nga trafiku i rrugës ‘Xhanfize Keko’, ‘Rrugës së Dibrës’ dhe rrugës ‘Aleksandër Moisiu’. Sot kemi probleme të botës së parë, pra ku do rrinë turistët, ku do i çojmë gjithë këto makina, por dua t’ju kujtoj se kur e morëm këtë detyrë kishim probleme të botës së tretë; atëherë prisnim motin, shikonim a do përmbyste Lana gjithë ‘Siri Kodrën’. Angazhimi im është të përveshim mëngët për punë të tjera. Njerëzit kanë pritshmëri jashtëzakonisht të larta dhe na duhet që PS-ja, si e vetmja forcë që i përgjigjet pritshmërive që ka publiku, të vazhdojë të jetë luftarake dhe fituese në zgjedhjet e vitit 2025”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se PS duhet të vazhdojë të jetë një forcë e hapur për të rinjtë dhe të rejat dhe e fokusuar në transformimin e vendit. “Kush ka zgjedhur PS, ka zgjedhur të jetë pjesë e një force që nuk është perfekte, por çdo ditë është në përmirësim të vetvetes. PS është sot forca më dinjitoze, më transformuese dhe më patriotike, që shërben duke filluar nga dera e shtëpisë së secilit këtu, e deri në qendër të Tiranës e kudo tjetër ku ngrihet flamuri i Republikës së Shqipërisë. Ndaj, motra dhe vëllezër, jini krenar, vazhdojmë ta mbajmë derën hapur për djem dhe vajza të rinj. Një parti e themeluar në ’91, nuk është njësoj edhe në 2024 sepse kanë kaluar 33 vite. Kjo do të thotë se gjithmonë e më shumë do të jemi me bazë rininë, me ata që kanë transformuar realitete”, deklaroi ai.
Ai u ndal edhe te projektet e realizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat kanë sjellë përmirësim të realiteteve për banorët e zonës. “Më kujtohet rruga “Xhanfize Keko”, e cila ishte si një përrua i madh. Sot e kemi harruar se si ishte. Kur kujtoj ato pallatet e “Rrugës së Dibrës”, ishte për të xhiruar një film horror, gjithë suvaja e rënë përtokë. Sot i kemi harruar, se duken aq bukur me kapotën e veshur. E kemi harruar që te “Shkolla e Bashkuar”, ku sot është Ministria e Mbrojtjes, s’kishte as trotuare sepse nuk diskutohej fare për korsi biçikletash. Kemi harruar se si përmbytej Lana, kur vinte lumi deri te “Siri Kodra”. Sot diskutohet sa shumë pemë do mbjellim dhe se si ajo do të kthehet në një park linear. “Ura e Babrrusë” ishte si një shteg dhish. Sot ura e re do ta bëjë Tiranën dhe Kamzën si një energji ekonomike e përbashkët”, nënvizoi Veliaj.