Në takimin me socialistët e Njësisë 3, në vijim të turit të mirënjohjes për 33-vjetorin e Partisë Socialiste, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se në zgjedhjet e 2025-ës do të fitojë puna, jo gomat që digjen në mes të qytetit. Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë socialistët, të cilët kanë punuar që PS të jetë forcë e parë në vend.
“Sa shumë punë është bërë! Çfarë rezistence ka pasur, sidomos në vitet ’90-të, si Referendumi i ’94-ës, zgjedhjet e ’96-ës dhe ’97-ës, grushtin e shtetit të ’98-ës, dhe me çfarë përballej PS-ja. Edhe opozita e dytë ishte jashtëzakonisht e vështirë, kur kujtoj 21 Janarin, Gërdecin, kur kujtoj se sa herë ka drejtuar Saliu, rrahja, zhdukja ose vrasja e një socialisti ishte një mënyrë se si t’i bëje prokopi në atë sistem. Kur kujtoj shokët që humbëm në 21 Janar, kur kujtoj se sa socialistë janë rrahur, që nga Edi Rama te Erion Braçe, nga Servet Pëllumbi te Blendi Gonxhe, kur kujtoj se si kjo familje është mbajtur me thonj, më bën të ndihem krenar dhe të jem vërtet mirënjohës për të gjithë kontributin e skuadrës sonë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Veliaj nënvizoi se sot Tirana po jeton në ditët e saj më të mira, duke përmendur si shembull buqetën e 42 shkollave të reja që i janë shtuar kryeqytetit. “Kur mbaruam ‘Çajupin’, ata të ‘Samiut’ që erdhën për mësim te ‘Çajupi’, thoshin: “A do jetë shkolla jonë kaq e mirë?”. ‘Samiu’ u bë edhe më i mirë. Kur kujtoj ata të ‘Partizanit’, që bënin mësim te ‘Shkolla e Kuqe’, thoshin: “A do të bëhet e jona si ‘Samiu’?”. U bë ‘Partizani’ edhe më i mirë. Edhe “Xhezmi Delli” ka dalë një bizhu për lagjen tonë. Pastaj kujtoj se si çdo punë që kemi bërë në qytet është shoqëruar me sherr e me shamata, se mirë kur janë vetë në pushtet, që s’dinë të bëjnë asnjë punë, përveç se të dhunojnë socialistët, por kur janë në opozitë janë edhe më pengues, se nuk të lënë të punosh”, shtoi ai.
Drejtuesi politik i PS nënvizoi se qytetarët kanë ditur t’i ndëshkojnë me votë ata, të cilët kanë penguar punët e mira të qytetit. “Më kujtohet sa vite u pengua zgjatimi i Lanës, nga Ura e Brrylit, tani ka vajtur në Shkozë. Sa vlerë ka marrë gjithë ajo pronë, çfarë energjie është hapur aty, çfarë ekonomie prodhon! Ju kujtohet Astiri? Astiri ishte tamam si këto skenat te bashkia, digj goma, e digj goma, e digj goma, e digj goma. Por, definicioni i budallallëkut është: Bëj të njëjtën gjë dhe prit rezultat tjetër! Po bëre të njëjtën gjë, do marrësh të njëjtin rezultat. Ne do fitojmë në 2025-ën se Tirana do punë, jo goma që digjen”, tha Veliaj.