Borussia Dortmund luajti me dyer të mbyllura të shtunën e shkuar, një javë para finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në ‘Wembley’.
Edhe pse dyert ishin të mbyllura, brenda saj për të “spiunuar” gjermanët ishte një shqiptare… Bëhet fjalë për këngëtaren Loredana Zefi, e cila ishte një nga shumë pak njerëz të pranishëm aty, për të parë të dashurin e saj, Karim Adeyemi. Dhe ishte e vetmja, së bashku me shokun e Adeyemi.
Kundërshtar i Dortmundit ishte ekipi U23, i cili garon në kategorinë e tretë të futbollit në Gjermani.
Loredana po mbështeste Adeyemi nga shkallët e stadiumit, në ndeshjen ku nuk u lejua prezenca e mediave. 28-vjeçarja ka qenë në humor të mire, teksa ka përshëndetur fotografët jashtë stadiumit.
Adeyemi u zëvendësua pas pjesës së parë. Kaq ishte për Loredanën, e cila u largua nga stadiumi me një Mercedes të bardhë pas 45 minutash.
Lidhja e Adeyemit me Loredanën u kritikua në fillim të sezonit, pasi lojtari gjerman nuk po gjente formën e duhur. Megjithatë, në gjysmën e dytë të sezonit, 22-vjeçari shkëlqeu me fanelën verdhezi.