Maja, gjyshja e Iglit, ka pranuar ftesën e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo nuk e di se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ndodhet Igli, nipi që e ka rritur vetë e që nuk e takon prej 2 vitesh. Hera e fundit ka qenë kur Igli ishte ende duke vuajtur dënimin në qeli, por ai është liruar disa ditë më parë dhe dëshironte që takimi i radhës të ishte në studion e surprizave dhe emocioneve.
Kur shfaqet imazhi i Iglit, Maja heq e vendos disa herë syzet pa mundur ta njohë dot. Kur mëson se është Igli, ajo nis të lotojë.
Maja: O të keqen nëna! Igli i nënës! Zemra e nënës! Të ka rritur nëna me këto duart e mia! Mezi po të prisja o zemra e nënës kur po vije…! Më raftë pika, si s’e njoha çunin tim!
Emocionet e forta trondisin Majën që thuajse humb ndjenjat. Pranë i gjendet Ardit Gjebrea dhe asistentët për ta qetësuar teksa ajo flet me dhimbje e mall.
Maja: Të keqen nëna Igli! A do ta gjeje nënën gjallë o bir! Më shkoi mendja!
Ardit Gjebrea: Të shkoi mendja?
Maja: I thashë djalit, o Niku, mos më ka bërë Igli surprizë? Jo, nëna jo, tha, Igli është brenda. Të keqen unë ty!
Ardit Gjebrea: Tani qetësohu! Të kishte marrë malli për Iglin?
Maja: Shumë! Kisha 2 vjet…
Ardit Gjebrea: E di se na tregoi.
Maja: E ka rritur nëna!
“Unë kam 3 fëmijë, me Iglin 4. Këtë e mbaja kalaqafë”, shton gjyshja e ngashëryer. (TV KLAN)