Nga Eduard Zaloshnja/
Në listën e zgjedhësve ishin vjet plot 3.65 milionë shtetas shqiptarë. Nga këta, sipas CENS-23, ishin me banim në Shqipëri vetëm 1.95 milionë (banorë 18 vjeç e sipër). Pra 1.7 milionë shtetas me të drejtë vote banonin jashtë vendit.
Nuk mund të dihet se sa nga 1.7 milionë zgjedhësit me banim jashtë vendit erdhën për të votuar vjet në maj me autobuzë, vetura, tragetë e aeroplanë, por dihet që atyre nuk iu krijua mundësia për të votuar në vendet ku banonin.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me Vendimin Nr. 38/22 të janarit 2023, urdhëroi qartazi Kuvendin që të amendojë Kodin Zgjedhor, duke miratuar dispozita ligjore që i garantojnë çdo zgjedhësi jashtë Shqipërisë të marrë pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të ardhshme dhe kërkoi që ky proces të jetë sa më i shpejtë dhe sa më efektiv. Thënë ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese qartëson se krijimi i kushteve për votimin nga jashtë Shqipërisë është një detyrim i shtetit shqiptar. Sidoqoftë, edhe pse kanë kaluar mbi 6 muaj nga afati kushtetues i paracaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ende nuk janë bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Pavarësisht argumenteve apo justifikimeve që paraqesin partitë politike për këtë vonesë, si dhe opinioneve të ndryshme që qarkullojnë në opinionin publik pro apo kundër votimit jashtë vendit, krijimi i mundësisë ligjore dhe praktike për një votim të tillë është detyrim kushtetues, sipas Gjykatës Kushtetuese.
Në qoftë se nuk do t’u krijohet mundësia zgjedhësve të votojnë jashtë vendit deri në pranverën e 2025-ës, zgjedhjet parlamentare do të jenë të cunguara ligjërisht, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, shteti shqiptar do të demonstrojë një mungesë serioziteti, si një shtet që neglizhon kushtetutën e vet.