Një trafikant shqiptar i qenieve njerëzore u dënua me burg në Britaninë e Madhe. BBC shkruan se, hetuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit, NCA, besojnë se Eglantin Doksani, 24 vjeç, mund të jetë përgjegjës për transportimin e qindra personave në Kanalin Britanik në 2022-n, me varka të vogla.
Nga dosja e hetuesve, shqiptari u identifikua si një bashkëpunëtor të Hewa Rahimpur, një nga drejtuesit e një bande të përfshirë në lëvizjen e rreth 10,000 njerëzve në MB. Iraniani Rahimpur, për të cilin policia beson se qëndronte pas një rrjeti që futi 10 mijë njerëz nëpërmjet varkave të vogla në Mbretërinë e Bashkuar, u dënua me 11 vjet burg në Belgjikë, vitin e shkuar. NCA tha se Doksani vepronte si agjent për emigrantët, duke u ndërmjetësuar vende në varkat që operoheshin nga rrjeti i Rahimpur dhe të tjerë. Bisedat në WhatsApp të gjetura në telefonin e Rahimpur tregonin diskutime për njerëzit që Doksani donte të dërgonte në Britani.
Në një mesazh, Doksani i thoshte Rahimpur-it: “Të lutem përpiqu të bësh diçka nesër për të çuar çunat, sepse kam 10 njerëz të tjerë që presin për mua. Paratë në dorë”.
Në një tjetër, ata diskutonin pagesat, me Doksanin që thoshte: “Herën tjetër vllai, më mirë po i bëj të gjithë bashkë. 10 veta për 30 mijë paund”.
Në një bisedë të veçantë me një tjetër kontrabandist të dyshuar të gjetur nga telefoni i Doksanit, ata diskutuan për vendndodhjet e marrjes. Doksani dërgoi një hartë dhe koordinata për vendin ku prisnin klientët e tij, në Gravelines midis Calais dhe Dunkirk. “Ata po presin afër ujit vëlla,” tha ai.
Kur oficerët e NCA fillimisht arrestuan Doksanin në korrik 2022, ai jetonte në një apartament në Isle of Dogs. Teksa mbërritën, u pa një qese e hedhur nga dritarja. Më vonë u zbulua se përmbante kokainë. Nga vendi i ngjarjes u gjetën edhe peshore elektronike dhe prerëse. Doksani u lirua me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Pasi u zbuluan prova të mëtejshme të aktiviteteve të tij të kontrabandës me njerëzit e tij nga hetuesit, ai u arrestua për herë të dytë, këtë herë në Cheshunt, Hertfordshire. Oficerët e NCA zbuluan se ai kishte përdorur një pasaportë false për të hapur llogari bankare, të cilat më vonë i përdori për të depozituar fitimet e tij kriminale. Pas arrestimit të tij të dytë, ai u akuzua për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, mashtrimin, pastrimin e parave dhe veprat penale të furnizimit me drogë. Ai më vonë u deklarua fajtor për shtatë vepra penale dhe u burgos sot për nëntë vjet e nëntë muaj nga një gjykatës në Gjykatën e Kurorës St Albans. Ai përballet me deportim pas vuajtjes së dënimit.