Nga Mero Baze
Dosja e 21 Janarit nuk do të ishte rihapur kurrë nëse nuk do të kishim vendosmërinë e familjes Nika për drejtësi. Xhaxhai dhe gruaja e Aleks Nikës, kanë 13 vite që nuk rreshtën së kërkuari drejtësi dhe kur të gjithë i humbën shpresat se çështja do të rihapej.
Beteja e tyre për të zbuluar vrasësin e Aleks Nikës, përfshirja e tyre në hetime private për ngjarjen, identifikimi i personave që u përfshinë në deformimin e fakteve dhe fshehjen e së vërtetës, e deri tek këmbëngulja e tyre për ta çuar çështjen në Strasburg dhe për të rihapur përmes atij vendimi çështjen në Tiranë, janë një nderim real që i bëhet kauzës së drejtësisë në Shqipëri, nga viktimat e drejtësisë.
Ata vazhduan betejën e tyre të pashpresë thuajse pa mbështetje politike. Qeveria socialiste në pushtet prej vitit 2013, ka qenë e paragjykuar në këtë proces, dhe në të vërtetë përveç respektit çdo 21 janar, nuk ka bërë asgjë serioze për të furnizuar drejtësinë me informacione të reja rreth ngjarjes.
I vetmi denoncim i saj mbetet dosja e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj dy mjekëve që u përdorën si dëshmitarë fals pak orë pas vrasjes së demonstruesve. Më tej asnjë ministër apo zyrtar i kësaj qeverie, nuk bëri ndonjë betejë për 21 janarin, përveç procedurave burokratike për kompensim financiar apo mbështetje për familjarët e viktimave.
Vetë drejtësia filloi të kishte një lloj bezdie nga ky process, përfshi prokurorë e gjykatës që e dinin fare mirë se si mund të rihapej kjo çështje. I vetmi gjest dinjitoz i drejtësisë shqiptare në gjithë këtë histori, është vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, që pasi mori vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ka shkruar detyrat për Prokurorinë në procesin e hetimit. Është i vetmi vendim dinjitoz gjykate që ngjall shpresë për këtë proces, edhe ky falë këmbënguljes së familjes Nika.
Madje aq shumë ishin trimëruar vrasësit dhe aq indiferente ishin gjykatat, sa familja e Hekuran Dedës, humbi një gjyq në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke ja quajtur shpifje deklaratën që Sali Berisha u çoi shoferin e familjes në shtëpi për t’u blerë gjakun pas 21 janarit, vendim që për fat u hodh poshtë nga shkallët e tjera.
Tani 21 janari ka hyrë në rrugën e duhur të hetimit. Sot familja Nika ka çelur siparin e dëshmive, duke u paraqitur para drejtësisë për të legjitimuar arsyet përse duhet të rihapet kjo çështje. Të tjerat pas kësaj janë të gjitha më të lehta. Më e vështira ka qenë rihapja dhe gjykimi i pavarur i kësaj çështje.
Kjo u realizua falë familjes Nika, Gjykatës së Strasburgut dhe vendimit të Gjykatës së Lartë, vendime të cilat kanë përcaktuar kuadrin e përgjegjësisë.
Ngelet të plotësohen emrat e fajtorëve, të cilët për fat të keq kanë vrarë live para kamerave, i kanë marrë përgjegjësitë me zë dhe figurë dhe madje janë krenuar kanë vrarë. Tani le të mbajnë fjalët që kanë thënë.