Në një intervistë në “News Line” në “ABC News”, analisti Frrok Çupi komentoi deklaratat e kreut të partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili këtë të hënë në një konferencë për mediat, sulmoi emrat e propozuar nga kryeministri për ministra. Qëndrimi i tij më i ashpër ishte ndaj Pirro Vengut, që do të vendoset në krye të Mbrojtjes, për faktin që ka nënshtetësi greke. Gjatë fjalës së ti, Çupi i konsideroi të turpshme akuzat e Ilir Metës, ndërsa nënvizoi se ministri i ri i Mbrojtjes është një njeri i ligjit.
“Ajo që thonë ata se zoti Vengu është njeri i Greqisë, është një marrëzi që fshihet pas këtyre gjërave që dëgjohen nëpër kafe. Është e turpshme që këto gjëra të thuhen nga një njeri i tillë. Ministri i ri i Mbrojtjes është një njeri i ligjit dhe i patriotizmit shqiptar dhe zgjedhja e tij tregon se politika shqiptare është e hapur dhe nuk i trembet asgjëje. Kjo e dallon këtë qeveri edhe nga këto gjërat e vogla”, ka thënë më tej Çupi.