Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” e cila u shërben pacientëve me sëmundje respiratore në mbarë vendin është pajisur me një tjetër aparaturë mjekësore jetëshpëtuese për trajtimit e pacientëve në gjendje të rëndë me probleme pulmonare dhe kardiake. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektoi sot investimin më të fundit e cila i është shtuar flotës së pajisjeve mjekësore bashkëkohore te cilat kanë shpëtuar me qindra jetë në Qendrën Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”. Ministrja Koçiu theksoi se aparatura e re mjekësore, ECMO (memrane oxigjenuese extracorporale) vjen për herë të parë në Shqipëri dhe shërben si mushkëri për pacientin. Një pajisje e tillë e avancuar mjekësore, ndihmon pacientët me problem të rënda shëndetësore, veçanërisht në rastet kur mushkëritë dhe zemra nuk funksionojnë siç duhet. Aparatura ECMO pompon në mënyrë të vazhdueshme gjakun nga trupi dhe më pas e shpërndan atë përmes pajisjeve që rrisin oksigjenin dhe heqin gazin karbonik deri në momentin e stabilizimin të pacientit.
“Unë besoj që së bashku, MSHMS, por edhe stafet administrative të spitaleve do të duhet të vijojnë të punojnë për të krijuar kushte më të mira punë për ju për të pasur në dispozicion pajisje të teknologjisë së lartë si ECMO që sapo pamë që do të sjellë një nivel më të lartë ekselence në shërbimet që kryeni”, u shpreh ministrja Koçiu gjatë bashkëbisedimit me mjekët. Shefi i reanimacionit, dr Alban Hatibi u shpreh se “është fat i madh për ne që vjen një pajisje e kësaj natyre. Kjo quhet ECMO ose një membranë oksigjenuese e cila u shërben të sëmurëve ekstremisht të rëndë”. Sipas tij, kjo aparaturë u shërben edhe kirurgjive speciale siç është kirurgjia me funksion të zemrës dhe mushkërisë jashtë trupit.
Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala tha se “është sukses në mjekësinë tonë që të kemi një aparaturë të tillë të cilën nuk e kisha menduar që do të vinte në një kohë kaq të shpejtë”. Stafi i Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë,“Shefqet Ndroqi” përballoi me sukses edhe urgjencat kardiologjike dhe të sëmundjeve të brendshme pas incidentit të ndodhur në Urgjencën e QSUNT-së.
Për këtë ministrja e Shëndetësisë, Koçiu falënderoi dhe shprehu mirënjohje të gjithë trupës së mjekëve dhe infermiereve në këtë strukturë spitalore për të gjithë suportin gjatë kohës që Urgjenca Qendrore ishte në shërbim të reduktuar.
“Keni bërë një punë fantastike, vetëmohuese për të shërbyer sidomos për urgjencat kardiake të cilat ishin të fundit që u rikthyen në QSUNT. Keni mbajtur fluks që në një mënyrë apo një tjetër tregoi qe jeni në gjendje të përballoni edhe më shumë ngarkesë seç mund të keni aktualisht në këto reparte. Kjo tregoi edhe njëherë qe kemi marrë vendimin e duhur kur e kemi shpërndarë këtë lloj funksioni edhe në strukturat e tjera spitalore. Na tregoi patjetër që decentralizimi dhe shpërndarja e shërbimeve edhe në struktura të tjera spitalore e përgatit edhe më shumë shërbimin spitalor për të qenë në lartësinë e duhur”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja tha se edhe rritja e pagave për 20 mijë mjekë të përgjithshëm dhe infermierë që ka hyrë në fuqi që nga data 1 korrik “do të jetë një mundësi akoma më shumë për të afruar ekselencën dhe profesionalizmin në sistemin shëndetësor”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, ministrja foli edhe për ngjarjen te Spitali Onkologjik në QSUNT.
“E di që shumë nga ju janë cënuar edhe moralisht, nuk e gjejnë veten në atë histori dhe patjetër që nuk besojnë që ajo histori i përfshin të gjithë. Dhe unë besoj qe sistemi shëndetësor që ne pamë nuk është ai, jeni ju. Fytyra e vërtetë e sistemit shëndetësor jeni ju që punoni përditë me përkushtim dhe me devotshmëri. Prandaj ajo histori nuk mund ta njollosi bluzën e bardhë të mjekut dhe të infermierit në shërbimin shëndetësor, por që patjetër ne do duhet të ngrihemi mbi atë nivel dhe të tregojmë që vetëm puna dhe nderi janë deviza kryesore që ne na çon përpara dhe sistemin e shëndetësisë e personifikon në tërësinë e vet”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.