Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të televizionit publik të Kosovës, Zana Spahiu, ka dhënë dorëheqje. Lajmi është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Spahiu. Dorëheqja do të jetë efektive nga 30 korriku, sipas transmetuesit publik.
Dorëheqja e Spahiut vjen disa ditë pasi RTK-ja dhe RTK Live transmetuan një pjesë të një artikulli të portalit boshnjak “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), në të cilin supozohet se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiçit. Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.
Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të pushtetit. Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.
Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar rreth këtij rasti, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë të mërkurën se i ka dhënë informacione Prokurorisë për dy portalet e përmendura të Kosovës, me arsyetimin se “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.
Më 24 korrik, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Në reagimin e tyre, materiali i RTK-së është konsideruar “informacion dezinformues, me qëllim të sulmimit të mediave online, Nacionale dhe Periskopi”.
Bordi i RTK-së ka mbajtur më 23 korrik një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi ka thënë se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e ka cilësuar si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.
Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se, “Slobodna Bosna” është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.
Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe “Slobodna Bosna” një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një “rol revolucionar” në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.
“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, ka thënë Kontiq.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve ’90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.
“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, ka thënë mes tjerash Kontiq./ REL