Kristjan Asllani, pak ditë më parë zbuloi në një prononcim për mediat italiane, se do të qëndrojë tek Interi edhe për sezonin e ardhshëm.
Në një intervistë pas sfidës, që Interi zhvilloi kundër Las Palmas, mesfushori i Kombëtares shqiptare u shpreh se ndihej tepër i emocionuar që luajti me fanellën e re me dy yje, teksa në një mënyrë konfirmoi që do të jetë sërish pjesë e Interit dhe për këtë sezon.
“Sezonin e ardhshëm do të përpiqemi t’i bëjmë të gjitha përsëri. Ne jemi një ekip i madh dhe ne duhet të synojmë për majën në të gjitha garat. Ishte shumë emocionuese të dilje në fushë me dy yje dhe Scudetton. Tani mezi presim të kthehemi në San Siro dhe të luajmë para të gjithë tifozëve tanë”, tha si fillim 22-vjeçari.
Gjithashtu theksoi se nënshkrimet e reja po përshtaten shumë mirë. “Ne e dimë se është e lehtë të futemi në grupin tonë, i cili është i fortë dhe ka një atmosferë miqësore”, përfundoi Asllani.