Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, prej kohësh garojnë me temën “kush është serb më i madh”, por pas të ashtuquajturit “Kuvendit gjithëserb”, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin.
Kështu ka thënë Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit me seli në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Biseda me Bassuenerin u zhvillua dy ditë pasi që Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, miratoi Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e cila fillimisht u miratua në të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, më 8 qershor.