Ministri i Brendshëm Taulant Balla u bëri apel të rinjve dhe të rejave të bëhen pjesë e uniformave blu të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit të martën çeli aplikimet për 400 funksione të rolit bazë, të ndara sipas strukturave të Policisë Vendore. Ministri Balla, në një postim në rrjetet sociale, tha se policimi është një profesion fisnik, që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës.
“Nëse brenda vetes i keni këto cilësi, si ministër i Brendshëm kam nderin t’ju ftoj të bëheni punonjës të devotshëm të policisë”, shkruan Balla.
“Policia e Shtetit sapo i ka hapur aplikimet për 400 funksione të rolit bazë (50% për punonjëset gra dhe 50% për punonjësit burra), të ndara sipas strukturave të Policisë, në nivel vendor. Aplikimet janë të hapura deri 31 më korrik”, nënvizoi Balla.
Ministri i Brendshëm më tej informon të interesuarit se të gjithë informacionin mbi kriteret, procedurën dhe dokumentacionin e nevojshëm, janë tashmë të publikuara në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe pranë çdo drejtorie vendore të Policisë.