Nga Aladin Stafa

Media ose ndryshe pushteti i katërt, vitet e fundit sa vjen dhe bëhet një komponent edhe më uzurpues në shoqërinë tonë moderne. Dhe kjo ndihet kudo. Globi i tërë duket sikur nuk shkon para pa të.

Ndikimi dhe forca që media ka për të ndryshuar mendësinë/ jetën në mënyrën si e jetojmë tek gjithsecili prej nesh, tani nuk ka më dyshim.

Duke qenë se qenia njerëzore është e dobët, njëherësh edhe emocionale, dëshira dhe kurioziteti për të kërkuar të vërtetën e shtyn njeriun të besojë atë cfarë shqisat/ instikti arrin të perceptojë.

Nëpërmjet leximit, filmit apo dhe vëzhgimit të situatave të ndryshme që ky pushtet ‘i gënjeshtërt‘ deri diku ka.

Media tradicionale dhe ajo moderne. Rrjetet sociale, p.sh., të panumërta. Të kudogjendura. Të pangopura e njëherësh të pamëshirshme në atë që shpërndajnë marrin me vete dhe jetë njerëzish. Viktima rrethanash të dëshpëruara.

Në këtë epokë të re të një teknologjie që nuk ecën por vrapon me hapa galaktike si duhet ne të mbrojmë veten dhe të mos biem pre e cdo informacioni ?

A duhet besuar cdo lajm që lexojmë ? Cfarë për mua është e vërteta, për një tjetër jo si unë, nuk është.

E vërteta është se misioni i medias është informimi i publikut në mënyrë të drejtë e të balancuar. Sot në të gjithë botën nuk është e vështirë të dallosh që pikërisht kjo gjë vihet në dyshim herë pas here. Ndaj më së shumti lexojmë se ajo atakohet si e kapur apo e njëanshme. Apo dhe perifrazime foljore që i qëndrojnë shumë pak kohës.

Ndaj pyetja që lind në këtë rast nuk është pse media përflitet aq shumë, por kush tjetër mund ta ketë atë forcë për të ndikuar kaq ashpër në rolin e medias përvecse një tjetër pushtet që në rastet më të shumta është ai politik?

Politika e di fare mirë ndikimin e medias në shoqëri dhe rëndësinë e ruajtjes së një imazhi të pastër tek populli por duke qenë se tangoja vallëzohet dyshe, partneriteti dypalësh ku njëra dorë ndihmon tjetrën ekonomikisht dhe jo vetëm, krijojnë një simbiozë që është sa e qëndrueshme aq edhe timide.

Në ditët e sotme standartet e shoqërive rriten me kohën, duke përfshirë lirinë e fjalës apo të shtypit të lirë, si një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të konsoliduar, por kur kjo liri kalon kufijtë e interesave përballet me një censurë të menjëhershme duke na hapur sytë e ndricuar mendjen përtej iluzionit që ruajmë në vetëdijen tonë.

Ndaj ajo që mendoj është se cdo gjë duhet mbajtur nën kontroll, pasi që media nuk ka vetëm rol informativ por edhe edukativ. Censurimi në disa raste është i nevojshëm për arsye se individë të ndryshëm vuajnë nga gjysëm të vërteta dhe akoma më keq nëse janë të rinj.

Ende në udhëkryq, ata përfshihen nga keqedukimi prej tyre duke i nxitur ata se sa shpejt mund të kapin majat dhe cilat figura mund t’u shërbejnë si model.

Por a është kjo një gjë e mirë për zhvillimin e tyre ? Gjithkund verat nga modeli.

Është ndërkohë dhe ana tjetër e medaljes; në këtë botë të re që sa vjen dhe bëhet më e pamundur për t’u kontrolluar nga njeriu ka dhe prognoza të tilla. Nëse arrin të mbyllësh një dritare, njëqind dyer të tjera janë të gatshme për të përcjellë tek shoqëria lajmin më të rëndomtë. Duke nxitur kuriozitetin, shkatërruar thelbin dhe monetizuar aksionin e ndërmarrë.

E si në cdo sektor të jetës, ku idealja mbetet e paarritshme, zgjidhja do të ishte gjetja e nje ekuilibri mes një censurimi jo fort të ashpër dhe lirisë. Por duke qenë se interesat në mes janë më të forta se misioni i shenjtë që media mbart, kjo luftë që në nisje duket e humbur.

Gjithsesi media audio-vizive, bashkë me të mirat dhe mëkatet e saj vazhdon të qendrojë në krye të klasifikimit të cdo grupi si një ndër faktorët më influencues në shoqëri dhe si e tillë, të interesuarit do të përgatisin skenarin e rradhës që aktorët mediatik të vazhdojnë ta performojnë atë në skenë.