Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka cilësuar si të pavërteta informacionet se tek biskotat Milka janë konstatuar copa metali.
Aku bënë me dije se më datë 29.02.2024, nga sistemi RASFF është njoftuar për produktin Milka Biscotti dhe datë skadence 20.07.2024 për prani “Copa metali në biskota”, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje.
Sipas AKU, janë marr masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nuk kishte gjendje të këtij produkti as në magazinë as në raftet e shitjes.
“Sa i përket rastit për njoftimin nga sistemi RASFF më datë 12.03.2024 për produktin domate të thara (Pomodori Sechi) me lot: V04623 dhe datë skadence 15.02.2026, me origjinë nga Tunizia me përmbajtje të pesticidit Chlorpyrifos-Ethyl, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, sqarojmë se: Nga kontrolli i kryer rezultoi se subjekti ka kryer vetëm një import për të testuar produktet dhe kjo sasi nuk është tregtuar”, njoftoi AKU.
Lidhur me njoftimin e ardhur nga sistemi RASFF me datë 02.05.2024, i kategorisë: Alert me temë: “Proteinë e qumështit në majanë e birrës”, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU sqaron se majaja e birrës me prezencë të proteinës së qumështit është përdorur si lënde e parë në prodhimin e produkteve: “YUKYBIO Pancrik di Farro Integrale” LOT: (024 A 24), datë skadence 05.11.2024, “BioVegando Velette con Ceci e Curcuma” LOT: (397 A 24) datë 19.12.2024.
Nga verifikimi i AKU, rezulton se të dyja produktet nuk janë tregtuar tek konsumatori final.