Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në replika mbi çështjen e mikrokredive, ku deputeti Gazmend Bardhi akuzoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, se ka lëhtësuar skemën e mashtrimit të qytetarëve.

Në fakt, në debatin mbi mikrokreditë dhe ballafaqimin mes përmbaruesve dhe bankave, duket se Gazmend Bardhi nuk është futur krejt rastësisht.

Në vitin 2017, si Ministër Teknik i Drejtësisë, Bardhi firmosi një udhëzim për rritjen e tarifave të përmbaruesve në Republikën e Shqipërisë, rritje që automatikisht çonte në rritjen nga ana e bankave të fee-ve apo tarifave për qytetarët, duke rënduar xhepat e këtyre të fundit.

I pyetur për këtë udhëzim në Kuvend ditën e djeshme, Guvernatori Sejko konfirmoi se po, rritja e tarfiave të përmbaruesve me firmën e Gazment Bardhit rëndonte xhepat e qytetarëve.

“Ka pasur një reagim të fortë asokohe nga sistemi bankar kundër udhëzimit pasi rriste tarifat e përmbarimit në mënyrë të konsiderueshme dhe kërkonte parapagim pa u kryer puna. Ndërkohë që kjo rëndonte mbi qytetarët pasi bankat do t’ia ngarkonin këtë klientëve. Ky udhëzim do rriste fee-të për qytetarët dhe kostot për bankat e nivelit të dytë, pasi për cdo rast kredie që i kalonte përmbarimit, bankat do bënin një parapagim duke mos patur të qartë rezultatin e procesit të përmbarimit. Me sa di unë, ka shkuar deri në gjykatë kushtetuese dhe gjykata e ka rrëzuar këtë udhëzim”, tha Sejko.

Kundër udhëzimit të Bardhit është deklaruar më herët edhe ish zëvendës kryeministrja teknike, Ledina Mandija, e cila e quante një “udhëzim abuziv”.

Guvernatori shpjegoi në Kuvend se ky udhëzim i Bardhit është “edhe një nga elementët pse përmbaruesit janë të pakënaqur me Bankën e Shqipërisë dhe pse më akuzojnë mua personalisht”.

Ndaj pyetja që ngrihet: A është Gazmend Bardhi në konflikt të hapur interesi në këtë debat?

Sjellja e tij në kuvendin e Shqipërisë ngre hije të forta dyshimi. Teksa flitej për udhëzimin, Bardhi tha se rritja e atyre tarifave vinte si detyrim nga ligji i ri i përmbarimit privat, i votuar nga socialistët.

Por në fakt, ligji i ri doli në vitin 2019. Në udhëzimin e Bardhit të vitit 2017, shkruhet se baza ligjore është ligji i përmbarimit i vitit 2008, neni 47 i të cilit thotë se tarifat përcaktohen me udhëzim të minsitrit.


Pra mashtrimi sy për sy i Gazment Bardhit në Kuvend, lë të kuptohet se sa serioz është ai në debatin e mikrokredive dhe se sjellja e tij agresive ndaj Guvernatorit Sejko nuk është e paqëllimshme./Lexo.al