Familjarët e të riut shqiptarë që rrezikon dënimin kapital në Kinë, i kanë apeluar për ndihmë qeverisë shqiptare.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për ta shpëtuar pasi sipas tyre i riu 36 vjeçar me inicialet K.K nuk ka një rrol parësor dhe udhëheqës në grupin e të arrestuarve të akuzuar për futjen në Kinë të 1 ton kokainë.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu bazuar në të drejtën e Informimit Publik pyeti Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme nëse kjo çështje a është diskutuar sot mes ministrit Igli Hasani dhe të Dërguarin e Posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Wu Hongbo?
Në përgjigjen që MEPJ dha për Top Channel thuhet:
“Në përgjigje të kërkesës tuaj ju bëjmë me dije se, gjatë takimit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani i përcolli të Dërguarit të Posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Wu Hongbo, ndjeshmërinë e lartë që ka për qeverinë shqiptare dhe opinionin publik, gjykim që po zhvillohet në Gjykatën Popullore të Nivelit të Mesëm në qytetin e Guangzhou (Provinca Guangdong), në ngarkim të shtetasit shqiptar”.
Më tej në këtë përgjigje theksohet se:
“Duke kërkuar respektim të të gjithë të drejtave të shtetasit në fjalë, në të gjitha shkallët e procesit gjyqësor, pala shqiptare i kërkoi autoriteteve kineze të evitohet aplikimi i dënimit kapital”.
MEPJ në emër të qeverisë shqiptare tregon se kërkesë i është përcjellë me herët edhe Ministrit të Jashtëm të Republikës
Popullore të Kinës, nga homologu i tij shqiptar përmes një letre zyrtare.
MEPJ thekson në fund të përgjigjes së pyetjes të Top Channel se do të vazhdojë të ndjekë me prioritetin maksimal këtë çështje.