Kampion Olimpik… Ëndrra e shumë fëmijëve. Qëllimi i çdo sportisti. Medaljet në Lojërat Olimpike përfaqësojnë një arritje të lakmuar nga çdo atlet.
Qoftë ari, argjendi apo bronzi, fitimi i një medaljeje në Lojërat Olimpike është një burim krenarie dhe lavdie për cilindo në botë.
Por, përtej kësaj, është aspekti i lidhur me faktorin ekonomik. Sa kushton një medalje e fituar në Lojërat Olimpike në vende të ndryshme?
Vlera ekonomike e një medaljeje ndryshon jo vetëm midis tyre, por edhe midis kombeve.
Italia, për shembull, i shpërblen sportistët e saj që fitojnë medaljen e artë me 180 mijë euro. Shifër më e ulët se Singapori, Tajvani, Hong Kongu, apo Arabia Saudite, ku shteti i fundit pagoi 1.2 milionë euro për çdo sportist që fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat e fundit Olimpike.
Ndryshe është historia për Zelandën e Re, Britaninë e Madhe, Suedinë dhe Norvegjinë, shtete që nuk u paguajnë para sportistëve në rast medaljesh, ndërsa të tjerët i shpërblejnë sukseset me lopë, makina apo shtëpi…
Franca, vendi organizator i Olimpiadës së fundit, u siguron sportistëve të saj 80 mijë euro për medaljen e artë, 40 mijë për medaljen e argjendtë dhe 20 mijë për medaljen e bronzit.
Kanadaja paguan vetëm 13.600 euro për një medalje të artë, 11.000 për një të argjendtë dhe 7.000 për një bronz.
Australia paguan 12.500 euro për metalin më të çmuar, 10.000 euro për atë të ndërmjetëm dhe 6.500 euro për të fundit.
Po Shtetet e Bashkuara? 35.000 euro ari, 21.000 argjendi dhe 14.000 euro bronzi. Federata italiane bën pjesë në dhjetëshen e parë. Një atlet italian që fiton një medalje bronzi, praktikisht merr dyfishin e çmimit të një atleti amerikan me ar.
Në fakt, italianët fitojnë rreth 180.000 euro (bruto) për metalin më të çmuar, 90.000 euro për atë të ndërmjetëm dhe 45.000 euro për të fundit.
Maroku paguan 180.000 euro për ar, si Italia; argjendi, nga ana tjetër, është i barabartë me 114 mijë euro.
Indonezia u jep medalistëve të saj lopë dhe Malajzia dhuron një makinë të prodhimit të huaj.
Kazakistani dhe Kina ofrojnë apartamente të madhësive të ndryshme në varësi të vlerës së medaljeve të fituara.
Për një medalje të artë, Singapori jep shpërblim 678.000 euro, Tajvani 663.000 euro plus një pagë mujore të përjetshme prej 3.700 euro. Hong Kongu jep 591.000 euro.
Arabia Saudite gjatë “Tokio 2020” i dha 1.2 milionë euro karateistit Tereg Hamedi për një medalje argjendi.