Dy pistoleta të dekoruara që i përkisnin Napoleon Bonapartit, e që vlerësoheshin nga 1.2 deri në 1.5 milionë euro janë shitur në ankand për një shifër rekord.
Pistoletat e përdorura në 1814, të klasifikuara si “thesare kombëtare”, u shitën së bashku me kutinë e tyre të çmuar prej druri të inkorporuara me ar dhe argjend, ku paraqitet profili i perandorit, për 1.69 milionë euro nga shtëpia e ankandeve Osenat.
Shtëpitë e ankandeve Osenat dhe Rossini, organizatorë të ankandit në Fontainebleau, nuk kanë zbuluar asnjë informacion për blerësin, por konsiderojnë se shitja ishte një sukses.
Napoleoni I i kishte porositur këto pistoleta nga armëpunuesi Louis Marin Gosset. Ato janë të lidhura me përpjekjen e tij për vetëvrasje në Fontainebleau natën e 12 deri më 13 prill 1814, gjatë abdikimit të tij të parë.