Analisti Frrok Çupi shprehet se Ismail Kadare ishte një ndër avokatët më të mëdhenj për Kosovën. Në një intervistë për gazetaren Leontina Nika nga TKOB, ku po mbahen imazhet për shkrimtarin dhe kolosin e letrave shqipe, analisti tha se “ai e ka vëzhguar Kosovën sekondë për sekondë”.
“Kadare është avokati më i madh i Kosovës dhe lirisë së saj. Një njeri që e ka vëzhguar Kosovën sekondë për sekondë dhe është shfaqur në momentin më të duhur. Një filozof dhe luftëtar i madh i Kosovës, i ndaluar për diplomacinë botërore për t’u përdorur si emër.”, u shpreh analisti.
Ndërkohë duke u ndalur te Rexhep Qosja dhe raportet që ka pasur me Kadarenë, analisti shtoi:
“Janë dy njerëz të mëdhenj që kanë jetuar në të njëjtën kohë. Rexhepi është studiues i madh i letërsisë shqipe. Në jetën e tij do t’i përkushtohet si Asdreni apo Noli. E ka njohur Kadarenë në gjenialitetin e tij. E ka dashur në gjenialitetin e tij, e përbashkëta mes tyre ishte vlera e kombit në kuptimin shpirtëror. Të dy kanë kërkuar shpirtin e kombit dhe janë takuar në këtë pikë. Sot Qosja po e vuan këtë moment, në Prishtinë, ose rrugës për në Tiranë. I gjithë panteoni i njerëzve të mëdhenj i Shqipërisë u rrallua. Qosja ka edhe një libër me titullin ‘Panteoni i rralluar’ dhe me siguri ka parashikuar epoka ciklike për kombin shqiptar. Ne duhet të mendohemi, atë që thashë se në një farë mënyre jemi pa Kadarenë, duke qenë në këtë pozitë, një komb mblidhet rreth vetës, rreth Kadaresë, rreth veprës dhe moralit të verprës së tij.”