E veja miliardere e themeluesit të Apple, Steve Jobs, ka blerë shtëpinë më të shtrenjtë në San Francisko, duke shpenzuar rreth 70 milionë dollarë në një rezidencë me pamje të mrekullueshme të urës Golden Gate.
Laurene Powell Jobs e bleu shtëpinë në Pacific Heights, një nga lagjet më luksoze të qytetit të Kalifornisë, në një marrëveshje jashtë tregut, sipas Wall Street Journal.
Pronarët e mëparshëm ishin Sloan Lindemann Barnett, vajza e një miliarderi dhe Roger Barnett, i cili drejton një prodhues suplementesh shëndetësore.
Çifti e bleu shtëpinë për 33 milionë dollarë në vitin 2011 dhe thuhet se fillimisht kishin vendosur një çmim prej 100 milionë dollarësh përpara se t’ia shisnin Powell Jobs.
Për shkak se shitja ishte një marrëveshje jashtë tregut, nuk ka foto të reja nga brenda shtëpisë. Sidoqoftë, prona u shfaq në Architectural Digest në 2020 kur u përshkrua si “si shtëpia më e bukur në Amerikë”.
Në vitin 2020, shtëpia u përshkrua si një pallat i Rilindjes Spanjolle “i mbështjellë rreth një oborri dykatësh të kurorëzuar me një çati të madhe xhami”. Ka pamje të Gjirit të San Franciskos dhe ishullit Alkatraz, si dhe urës së famshme që lidh qytetin me Marin County.
Powell Jobs, 60 vjeç, u martua me Steve Jobs, sipërmarrësin e teknologjisë, në vitin 1991. Ata u takuan pasi ai dha një leksion në shkollën e biznesit në Stanford, ku ajo ishte studente. Çifti kishte tre fëmijë. Jobs vdiq në vitin 2011 në moshën 56-vjeçare, pasi u diagnostikua me kancer të pankreasit.