Nga Vitjon Nina
Një ngjarje e ndodhur më 21 qershor 2024, e cila në përmasa të tilla ndoshta rrallë herë ishte dëgjuar në Ballkan, ku në katër shtete (Shqipëri, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina dhe një pjesë të Kroacisë), pati avari masive dhe blackout të energjisë elektrike.
Një ngjarje, e cila nuk ka marrë ende përgjigje përfundimtare mbi shkaqet, por për të cilën gëlon ende shtypi dhe përflitet në opinionin publik.
Me shumë versione që qarkullojnë gjithsesi, e vërteta e vetme nga sa është kuptuar deri tani mbetet një dhe atë e zbulon për Albanian Post administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Skerdi Drenova.
Sipas tij, lajmet për të nxjerrë fajtore Shqipërinë nuk janë serioze dhe nxitimi për të arritur konkluzione nuk i bën mirë askujt. Në të kundërt, ai përcakton qartë se “Shqipëria nuk ishte burimi i ngjarjes dhe ca me keq fajtore”.
Përkundrazi, sipas tij, rasti tregoi se vendi ka aftësinë për të reaguar dhe garantuar furnizimin me energji pa pasoja.
Në një prononcim për AP-në, Drenova shpjegon fillimisht rrethanat normale të monitorimit periodik, që OST kryen.
Ai tregon se OST sh.a. në koordinim me Operatorët e Transmetimit të vendeve fqinje dhe me Qendrën e Koordinimit të Sigurisë zhvillon analiza statike të sigurisë së Sistemit Elektronergjetik.
Kjo analizë vlerëson ngarkesën dhe kushtet e qendrueshmërisë së sistemit për çdo orë të ditës dhe gjendjen fizike të tij. Remonte që janë duke u zhvilluar në sistemin shqiptar apo në sistemet e vendeve fqinje merren në konsideratë në këto analiza sipas deklarimeve të OST-ve nga secili prej këtyre vendeve.
Në rajonin e Evropës Juglindore, në përputhje me Standardet e ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike) por edhe më gjerë, operimi i sistemit elektronergjetik realizohet i koordinuar ndërmjet OST dhe Qendrës së Koordinimit të Sigurisë.
Duke iu përmbajtur kësaj premise, Drenova shpjegon se analiza për datën 21 tregonte se për ngjarje normale (p.sh dalja e një linje jashtë pune si pasojë e faktorëve natyrorë ose teknik) nuk priteshin problematika bazuar në informacionin e dërguar nga Operatorët e Transmetimit.
Teksa, teknikisht, ai plotëson, duke shtuar se për një raport përfundimtar, do të duhen minimalisht gjashtë muaj, pasi të analizohen të gjithë informacionet nga sistemet respektive.
Nga sa ka arritur Albanian Post ndërkaq të mësojë rreth çështjes prej disa burimeve të mirëinformuara ndërkombëtare, thelbi real i problematikës ka nisur në Malin e Zi në orën 12:09, pas një defekti në linjën 400kv Podgoricë-Ribarevinë.
Kjo gjë, ka shkaktuar një rishpërndarje të flukseve të fuqisë dhe një rritje të fluksit përkatësisht në linjën Greqi-Shqipëri, në orën 12:21.
Këtë gjë e konfirmon edhe vetë Drenova, duke shtuar më tej se është evidentuar se ka pasur një linjë 400kV Tuzla-Visegrad, jashtë pune në sistemin e Bosnjës, e cila ka qenë e padeklaruar dhe mungonte si informacion në analizën e sistemit. Mungesa e tre linjave 400kV nga veriu në Bosnjë dhe jug sipas rendit kronologjik më sipër solli rënien e sistemit elektrik të vendeve.
Megjithatë, ai shpjegon konkretisht se linja 400kV Shqipëri-Greqi (Zemblak-Kardia) është rikthyer në punë për një kohë të shkurtër rreth 15 minuta, pra defekti ka qenë kalimtar, ndërkohë në Mal të Zi, defekti është riparuar pas një kohe të gjatë, gjatë disa orëve. Ndërsa, më tej në në Bosnjë, ka zgjatur akoma më shume rikthimi i sistemit në punë.
Në Shqipëri furnizimi i plotë për të gjithë konsumatorët është rikthyer për 30min.
Po ashtu, rol kanë luajtur edhe temperaturat e larta në stakimet kalimtare, por janë marrë masat duke eliminuar faktorë që mund të sjellin stakime të cilat mund të cënojnë dhe sigurinë e sistemit elektrik.
Drenova shton më tej se gjithashtu “është rritur koordinimi dhe shkëmbimi i informacioneve me Operatorët e Transmetimit të vendeve fqinje në Ballkan, për të pasur një informacion shtesë nëse sistemet e vendeve fqinje janë në stres dhe mund të kërcënojnë dhe sistemin shqiptar”.
Lidhur me spekulimet se në punime gjatë rrugëve metodologjia e përdorur për vënien në punë të shtyllave portative është e gabuar, Drenova përgjigjet:
Çdo zëvendësimi shtylle apo segmenti linje i bëhet një studim i saktë inxhinerik. Shtylla provizore siç ka dhe emrin mund të vendoset për periudha të përkohshme në punime 1 – 5 ditore, për riparime të shtyllave të dëmtuara nga kushtet atmosferike dhe nuk janë shtylla të projektuara për të qëndruar në kohë të gjatë, si edhe përbëjnë rrezik për sigurinë e sistemit energjitik dhe më gjerë.
Ndërkohë, ai komenton edhe analizën që po zhvillohet me grupet e punës nga ENTSO-E dhe OST-të fqinje, për evidentimin e kushteve para difektit dhe shkaqet kryesore të cilat sollën ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
Raporti analizues i cili po përgatitet nga ENTSO-E, shpjegon Drenova, po punohet nga një grup ekspertësh për sistemet elektrike të fuqisë, në të cilin Shqipëria përfaqësohet nga specialistët e OST sh.a. Aktualisht janë duke u analizuar të dhënat e sistemeve automatike, si scada, mbrojtje etj..
“Njohja e dinamikës së ngjarjes dhe informacioni i saktë”, shpjegon ai, “i detajuar dhe i konfirmuar, nuk na e lejon të ketë një konkluzion. Përkundrazi faktet vërtetojnë të kundërtën. Shqipëria është pjesë e një sistemi të mirë monitoruar dhe me standarte që ka avantazhet e saj siç mund të ketë edhe problematika që lidhet nga vartësia dhe kooperimi mes vendeve”.
Intervista e plotë
Si qëndron e vërteta mbi avarinë që çoi në kolaps energjetik Shqipërinë, Bosnjën, Kroacinë dhe Malin e Zi, si edhe e raportimeve se ajo e ka burimin pikërisht në Shqipëri?
OST sh.a. në koordinim me Operatorët e Transmetimit të vendeve fqinje dhe me Qendrën e Koordinimit të Sigurisë zhvillon analiza statike të sigurisë së Sistemit Elektronergjetik. Kjo analizë vlerëson ngarkesën dhe kushtet e qendrueshmërisë të sistemit për çdo orë të ditës dhe gjendjen fizike të tij. Remonte që janë duke u zhvilluar në sistemin tonë apo në sistemet e vendeve fqinje merren në konsideratë në këto analiza sipas deklarimeve të OST-ve nga secili prej këtyre vendeve. Në rajonin e Evropës Juglindore në përputhje me Standartet e ENTSO-E, por edhe më gjerë, operimi i sistemit elektronergjetik realizohet i koordinuar ndërmjet OST dhe Qendrës së Koordinimit të Sigurisë. Analiza për datën 21 tregonte se për ngjarje normale (p.sh dalja e një linje jashtë pune si pasojë e faktorëve natyrorë ose teknik) nuk priteshin problematika bazuar në informacionin e dërguar nga Operatorët e Transmetimit.
Çfarë kanë nxjerrë në pah hetimet e kryera nga pala shqiptare lidhur me këtë ngjarje madhore, e cila ka rrokur edhe vëmendjen nga BE-ja?
Burimi i incidentit është i vështirë të përcaktohet në këtë moment, pasi ende janë duke u mbledhur informacione nga Operatorët e Transmetimit, të Shpërndarjes, gjeneruesit në të 4 vendet e Ballkanit. Deri më tani është evidentuar se ka pasur një linjë 400kV Tuzla-Visegrad, jashtë pune në sistemin e Bosnjës, e cila ka qenë e padeklaruar dhe mungonte si informacion në analizën e sistemit. Për momentin njihet deri diku, sekuenca paraprake e ngjarjes, e cila e vijon me një difekt në linjën 400kV Podgoricë-Ribarevinë në Mal të Zi, ora 12:09, e cila ka shkaktuar një rishpërndarje të flukseve të fuqisë dhe një rritje të fluksit në linjën Greqi-Shqipëri, më pas ndodh një defekt kalimtar në linjën Shqipëri-Greqi në orën 12:21. Mungesa e tre linjave 400kV nga veriu në Bosnjë dhe jug sipas rendit kronologjik më sipër solli rënien e sistemit elektrik të vendeve tona. Linja 400kV Shqipëri-Greqi (Zemblak-Kardia) është rikthyer në punë për një kohë të shkurtër rreth 15min, pra defekti ka qenë kalimtar, ndërkohë në Mal të Zi, defekti është riparuar pas një kohe të gjatë, gjatë disa orëve. Ndërsa në Bosnjë ka zgjatur akoma më shume rikthimi i sistemit në punë. Në Shqipëri furnizimi i plotë për të gjithë konsumatorët është rikthyer për 30min.
Në një version fillestar të ngjarjes u tha se edhe temperaturat shumë të larta ishin shkaktare për këtë avari, çfarë masash janë marrë për të mos u përsëritur më?
Temperaturat e larta kanë luajtur një rol në stakimet kalimtare, por janë marrë masat duke eliminuar faktorë që mund të sjellin stakime, të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë e sistemit elektrik.
Gjithashtu është rritur koordinimi dhe shkëmbimi i informacioneve me Operatorët e Transmetimit të vendeve fqinje në Ballkan, për të pasur një informacion shtesë nëse sistemet e vendeve fqinje janë në stres dhe mund të kërcënojnë edhe Sistemin tonë.
Si funksionon metodologjia në rastet e punimeve të rrugëve dhe përse shtyllat portative nuk u vendosën, sipas një raporti të publikuar?
Çdo zëvendësimi shtylle apo segmenti linje i bëhet një studim i saktë inxhinerik. Shtylla provizore, siç ka dhe emrin, mund të vendoset për periudha të përkohshme në punime 1 – 5 ditore, për riparime të shtyllave të dëmtuara nga kushtet atmosferike dhe nuk janë shtylla të projektuara për të qëndruar në kohë të gjatë, si edhe përbëjnë rrezik për sigurinë e sistemit energjetik dhe më gjerë.
Në cilën pikë janë hetimet ndërkombëtare në këtë çështje dhe çfarë kanë zbuluar deri tani?
Parimisht nuk do të përdornim fjalën hetim, por po zhvillohet një analizë me grupet e punës së ENTSO-E dhe OST-të fqinje për evidentimin e kushteve para defektit dhe shkaqet kryesore, të cilat sollën ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Raporti analizues, i cili po përgatitet nga ENTSO-E, po punohet nga një grup ekspertësh për sistemet elektrike të fuqisë, në të cilin Shqipëria përfaqësohet nga specialistët e OST sh.a. Aktualisht janë duke u analizuar të dhënat e sistemeve automatike, si scada, mbrojtje etj..
Njohja e dinamikës së ngjarjes dhe informacioni i saktë, i detajuar dhe i konfirmuar, nuk na e lejon të ketë një konkluzion. Përkundrazi faktet vërtetojnë të kundërtën. Shqipëria është pjesë e një sistemi të mirë monitoruar dhe me standarde, gjë e cila ka avantazhet e saj, siç mund të ketë edhe problematika që lidhet nga vartësia dhe kooperimi mes vendeve. Por në rastin për të cilin flitet, Shqipëria nuk ishte burimi i ngjarjes dhe ca me keq fajtore. Përkundrazi rasti tregoi se ne kemi aftësinë për të reaguar dhe garantuar furnizimin me energji pa pasoja. Lajmet për të nxjerrë fajtore Shqipërinë nuk janë serioze dhe nxitimi për të arritur konkluzione nuk i bën mirë askujt.