Përktheu nga danishtja Edita Kuçi Ukaj
Kur ajo u shpërngul së pari në Kopenhagë, banoi në një lagje në jug të qendrës, në Tåstrup. Për çdo ditë, në stacionin e trenit, e shihte një burrë që qëndronte i mbuluar në një stol dhe pinte birrë. E, ndodhte zakonisht që përreth tij të ishin disa njerëz, por ishte ai, të cilin ajo e kishte vërejtur, sepse shpeshherë e përshëndeste.
– Mirëmëngjesi zonjushë e re – i thoshte.
Dhe ajo buzëqeshej e gëzuar që e njihte. Përndryshe, ishte e panjohur për të tjerët.
Mbrëmjeve, gjatë rrugës kur kthehej në shtëpi, ajo ndalej dhe bisedonte pak me të. Dhe kështu, ajo e bëri ata që të fliste për veten. E quanin Lejlek dhe ishte i pastrehë. Me një lloj krenarie, ai i tregoi asaj kartën e sigurimit shëndetësor, ku shkruante Sven Holm dhe “Adresa e Panjohur.” Atë formulim kurrë më parë s’e kishte parë. Ishte e vetëdijshme se s’ishte e zakonshme të qëndronte e të fliste me njerëz të tillë, ngaqë, zakonisht njerëzit u shmangeshin njerëzve endacakë. Por, ajo kishte nevojë për atë bisedë, sepse ishte private; një trajtim tjetër nga skaji i komunikimit normal. Dhe, ajo ishte edukuar që të ishte plotësisht e përkorë, sipas bindjes se të gjithë njerëzit ishin krijesa të Zotit.
Ishte një periudhë shumë intensive në jetën e saj, çdo ditë e mbushur me përvoja të reja – edhe në punë. Çfarëdo që bënte ishte e re, dhe kjo ishte puna e parë e vërtetë e saj. Çdo detyrë që i jepej i dukej e veçantë, dhe gati çdo ditë i duhej të kërkonte këshilla nga kolegë me përvojë. Kryesisht, shkonte lart te Danielsen; i cili punonte aty shumë vite dhe ishte udhëheqësi jozyrtar i saj. Dhe, atij i pëlqenin dukshëm pyetjet e saj. Zyra e tij ishte në nën kulm dhe çdo herë e pranonte me mikpritje të ngrohtë.
Gjatë javëve të fundit, ajo telefonoi shpesh në shtëpi. Prindërit e saj e kishin ndihmuar të gjente apartamentin dhe të vendoste gjërat e saj në të. Por tani asaj i dukej se ata po e lënin vetëm, për të vazhduar jetët e tyre. S’ndihej e afërt me ta në telefon.
Babai i saj ishte i zënë me temën për Luther-in gjatë mbrëmjeve të lira; kishte punuar me të qysh nga koha e studimeve. Gjatë viteve herë pas here ishte munduar ta nxiste atë të interesohej rreth diskutimeve të tij për teologë të vdekur e të gjallë. Kurse nëna e saj, çdo herë e më shumë angazhohej në politikë, tani ishte në këshillin e qytetit e preokupuar me çështje të rëndësishme, si drejtuese e Komitetit të Asistencës Sociale. Kryesisht e telefononte motrën. Pasi që u shpërngul nga shtëpia, të dyja u afruan shumë më shumë me njëra – tjetrën. Motra kishte besim në të, ishte e vetme në adoleshencën e saj, dhe sa herë kishin mundësi, flisnin në telefon për orë të tëra.
Në një mëngjes, pak me vonesë dhe duke vrapuar gjatë shtegut për në stacion, ajo humbi portofolin. Me sa duket portofoli kishte qenë në maje të çantës dhe i kishte rënë tek nxitohej. S’e vuri re deri kur erdhi çasti që në stacionin e trenit të shfaqej kontrollori i biletave. Ajo s’mund ta gjente biletën mujore: s’mund të gjente as portofolin e saj. Konduktori e trajtoi me mirësi; e shihte sa e turpëruar dhe e hutuar që mbeti. Ajo ishte dashtë t´i jepte numrin e saj personal, emrin dhe adresën, por s’mundi t´i vërtetonte asnjërën; karta e sigurimit dhe të gjitha të dhënat e tjera ishin në portofol. Ajo mendoi që të kthehej prapa menjëherë dhe të kërkonte, por u frikësua se do të merrte një gjobë në tren dhe do të vonohej për punë. Në çdo rrethanë, portofoli ishte humbur, ajo s’llogariti ta shihte më. Pas pak zbriti në Norreport dhe shkoi në punë me shpresë se dita do të shkonte në një mënyrë normale. Kur arriti te dhomëza e vet e punës, kishte mundësi të telefononte. Së pari telefonoi në stacion, ku i thanë se s’kishin gjetur asnjë portofol, pastaj ne polici, që e referuan te zyra e sendeve të humbura. Në fund, me përulësi telefonoi regjistrin kombëtar që të anulonte kartelën e sigurimit. Telefonata, në një mënyrë ishte jo e suksesshme; karta s’ishte e vjedhur, ajo e kishte humbur atë! – Çfarë dëshiron që ne të bëjmë për atë? – e pyeti gruaja me sarkazëm – ta mbylli zyrën dhe të shkoj ta kërkoj?
– A mund vetëm ta regjistrosh që e kam humbur kartelën? – e pyeti ajo.
– – Ne mund ta raportojmë të humbur, tha gruaja, është e vetmja gjë që mund të bëjmë.
Kështu, e gjithë dita i shkoi me një ndjenjë shqetësimi. Ajo ishte lejuar të telefononte edhe në Jutland, por askush s’u përgjigj. Tek pasdite erdhi Danielsen me një çështje që e kishte përpiluar një javë më herët. Një gabim ishte gjetur- e kishte neglizhuar një pikë të rregullores. Në të kishte elemente që s’i kishte kuptuar. Dhe, për një moment kishte frikë se mos po ia plaste vajit, ishte sikur një ujëmbledhës që papritur rritej, duke kërcënuar të përmbyset. Në përfundim të ditës së punës, huazoi njëqind kruna nga një koleg, mjaftueshëm për tren dhe pak ushqim.
Kurse në ora gjashtë e gjysmë doli duke u çapitur nga stacioni. S’mendonte gjë tjetër, pos të të shkonte në shtëpi, të mbyllte derën dhe të rrinte e vetme. Por, papritmas dikush iu shfaq në shteg përpara saj. Ashtu, në hutim, në fillim u tremb dhe u ndaloi hovin. Ishte ai, Lejleku, i cili në dorë e mbante portofolin e saj.
-Këtu, tha ai, e pashë që e humbe. Ai buzëqeshi me dhembet e tij të prishur dhe u duk i gëzuar. Të gjitha komplikimet dhe shqetësimet erdhën si goditje rrufeje mbi të, ajo e shikoi ngultas. – Pse s’the asgjë? Pse s’më ndjeke mua, ose të më thërrisje mua? – S’mund t’iu nxija, tha ai, nxitoje. – Budalla! tha ajo. Idiot! Dhe e kapi portofolin nga dora e tij, e futi ne xhepin e xhaketës dhe iku.
Në shtëpi, në divan i kontrolloi të gjitha gjërat, një nga një. Aty ishte patentshoferi, sigurimi i shëndetësorë, kartela e trenit, një biletë e shfrytëzuar e kinemasë. Edhe parat ishin aty, kartela bankare. Asgjë s’mungonte. Në fotografi buzëqeshte motra e saj me mirëbesim. Ajo ishte e lumtur. Dukej sikur të kishte shpëtuar nga një aksidenti madh. Por, menjëherë, ajo u turpërua për sjelljen e saj. Si kishte mundur ta trajtonte Lejlekun aq keq? Me vendosmëri e kapi xhaketën dhe doli prapë jashtë.
Hapësira mes pallateve të apartamenteve shtrihen si një mbrëmje shkretëtire, s’kishte asnjë njëri. Në fakt, ajo asnjëherë s’kishte dalë jashtë pasi kishte ardhur në shtëpi nga puna: i tillë ishte ai lloj vendi. Sheshi para stacionit ishte po ashtu i zbrazët. Ajo hyri brenda. Ishte një djalë i ri te makina e biletave, përndryshe askush. Ajo kishte nevojë të shfaqte mirënjohjen për dikë, por ai e shikoi me dyshim. Në shesh, ajo thërriti një herë, vetëm një hello të ngulfatur nga vendi i shkretë. Dhe asnjë përgjigje s’u dëgjua. Ajo eci ngadalë rrugës për në shtëpi në një muzg të çuditshëm. Nesër, mund ta falënderonte atë. Dhe ajo do ta bënte.
Por mëngjesin tjetër, ai s’ishte aty. Në bankën te qoshja ishin ulur dy burra tjerë duke pirë birrë. Me ngurrim iu afrua dhe i pyeti: ku ishte ai? A e kishin parë ata? Ata e ftuan për një birrë. – Zakonisht ai ulej këtu, tha ajo dhe u mundua ta përshkruante. Ata qeshen më të, duke u zbavitur me dialektin e saj. Ata e njihnin shumë mirë. – Përse po të vyen? A mund të vyejmë njëri prej nesh?
Treni i saj erdhi në peron dhe ajo u dorëzua, iu desh të kthehej.
Ishte korriku. U ul në tren dhe duke kaluar shihte rrahjet e pemëve me gjethet kaltra në të blertë, të zëvendësuara nga shtëpitë dhe bulevarde të panjohura me trafik të dendur. Me padurim kishte dalë nga shtëpia, të fillonte jetën e saj, të vinte në qytet dhe të jetonte. Ky dëshirim e kishte mbushur tërë vitin e fundit të gjimnazit.
Kur hyri në zyre, një buqetë me lule ishte vendosur në tavolinën e saj. Ishte një befasi e plotë, por prapë ishte e goditur nga një shok i gëzimit, sikur ta kishe pritur. Një buqetë e përzier me shumë lloje të luleve, i kontrolloi deri sa e vari xhaketën në vend. S’kishte letër, as përshëndetje.- Nga kush mund të jenë këto? – i pyeti të tjerët në zyre. – Ndoshta një klient i kënaqur? Nëse është ashtu, atëherë do të ishte një befasi, i pari në gjykatën e përmbarimit. Lulet u studiuan me një prekje xhelozie. Askush s’e dinte se nga ku kishin ardhur. – Një admirues. A ke të dashur?
Në vitin e dytë të gjimnazit kishte pasur një të dashur. Ai ishte tri vjet më i vjetër, por papritmas e kishte lenë për dikë tjetër. Më vonë zbuloi se ai kishte dalë njëkohësisht me disa vajza. Ajo me naivitet e kishte menduar atë si shpirtin binjak. Zhgënjimi ishte akoma i pranishëm, vërejti ajo. Ajo ndjente një ndjenjë zbrazëtie që kishte lidhje nëntokësore me hezitimin. Në mesin e punës u bllokua dhe i lejoi mendimet të fluturonin. Kjo ishte pjesa e saj kur me se paku u kujdes. Ambicia e saj ishte të jetë e pavënë re dhe e qëndrueshme, të përshtatej dhe të jetë secili tjetër. Pas pak, Danielson erdhi poshtë me një çështje të re. Diçka rreth zbatimit penal. Kur ai u ul me letra në tavolinën e saj, gjunjët e tij i preken të sajat. – Vetëm për ty, tha ai. Ai e shikoi buqetën, por s’komentoi asgjë për të.
Pasdite, ajo ishte disa minuta e vetme në zyre. E rrëmbeu telefonin dhe thirri në shtëpi. Babai i saj u përgjigj.
-A më dërgove ti lule mua? pyeti ajo.
-Lule? Jo, pse a është dashur?
Ai tingëlloi i çuditur, sikur ta kishte zgjuar. Oh! Ajo mund të shihte të gjithin para saj! Ajo mund ta shihte siç ishte, kafen, llullën, dritën e shkrehur në librari.
-Kam një varrim në ora katër, tha ai.
-Dhe si je ti? – e pyeti ajo, si një e rritur.
-Po, tha ai, ndjekur me një heshtje, sikurse pyetja e saj të kërkonte përgjigje të gjatë.
-Ka ra shi tërë ditën, tha ai më në fund.
Pastaj telefonoi motrën e saj. Ato folën dhe bën shaka në fshehtësi. Përveç kësaj i tregoi për buqetën, duke e bërë të dukej pak ekzotike.
Nga kush në këtë botën mund të jetë? –Dëshiroj që të jesh këtu, shtoi ajo me spontanitet. A s’mund të vish tek unë? Natyrisht ajo s’mund tani.
Të tjerët, u ulen prapë në vendet e tyre në zyre. Ajo u përkul në çështjen që kishte përpara, dosjen e re në tavolinë, e cila kishte të bënte me një burrë të dënuar me një gjobë sepse kundërshtoi të shkonte në gjykatë. Ai kishte udhëhequr një dyqan të vogël të rrobave. Kur ishte mbyllur, ai kishte dhuruar aksionet e mbetura nga veshjet jashtë modës për bamirësi. Doganat e kishin dënuar të paguante taksë shitjeje me çmimin origjinal të tregut, edhe pse vlera e aksioneve ndërkohë ishte hequr. Ishte shqetësuese. Ajo kishte lexuar për ketë çështje në gazeta, dhe tani pikërisht ajo i kishte ardhur në tavolinën e saj. Kundër dëshirës së saj, kishte përgatitur thirrjen në gjyq. Për arsye të këtij veprimi burri rrezikonte borxhe të patundshme, përndryshe, ekonomia e tij ishte mjaft e pasur. Simpatia e saj ishte në anën e tij, por s’ishte rubrikë ku ajo mund të shkruante simpatinë e saj. Tani për tani, ajo s’mundi t´i kompletonte thirrjen për gjyq; thjesht s’mundi ta shihte emrin e vet aty. Për një moment lejoi mendimet të fluturonin. Buqeta qëndronte rrezatuese dhe atë e mbushi plot imagjinatë. Atëherë e kujtoi Lejlekun, a mund të jetë nga ai?- tha. Turpi i saj u përfshi nga një fuqi përzier gëzimi për lulet. Si ka mundur të trajtonte aq keq? Ajo i shtyu të gjitha anash dhe u fokusua prapë në lëndën që kishte në dorë.
Kur përfundoi puna, mbështolli buqetën me një gazetë që ta merrte me veti. Uji rrodhi në tavolinë dhe papritmas u ndie keq t´i merrte me veti. U pendua: lulet duhet të mbesin në zyre. Mund të jetë bërë ndonjë gabim. Ndoshta ato s’ishin fare për të. Dhe pastaj i çmbështolli dhe i kthej sërish në vazo.
E vetme, u largua nga rrugët verore të mbushura me njerëz.
Ishte e premte, s’kishte dëshirë të kthehej në periferi. Një fundjavë e vetmuar e priste atë. Hyri në një kaféne, porositi një kafe, u ul dhe e shikoi një gazetë. Njerëz të lumtur kalonin pranë saj. Turistët duke shëtitur dhe qytetarët vendas duke nxituar drejt shtëpive të tyre pas një dite me punë. Ajo vetë, vërtet s’u përshtat aty.
Në mbrëmje, u shtri në krevat dhe shikoi televizion: luftëra, aksidente, një vetëvrasje. Pastaj e zuri gjumi me rroba veshur. Fjeti një orë, ndoshta dy, dhe u zgjua me një ndjenjë të keqe sikur të kishte bërë diçka të tmerrshme. Sikur të kishte përjetuar një tragjedi pa e ditur fare. U ngrit, pastroi dhëmbët dhe shikoi fytyrën e saj në pasqyrë. Okej, mendoi, kjo je ti , kështu dukesh ti. S´ishte as e bukur dhe as e shëmtuar, por vetëm e zbehur. Një sirenë ambulance u dëgjua duke kaluar në distancë. Ajo u shtri e zgjuar dhe dëgjoi tingujt e pakuptueshëm të natës. Ajo mendoi për dosjen që pati në tavolinë.
Gjithë atë të shtune qëndroi e shtrirë në krevat. Më në fund, pasdite vonë u ngrit dhe shikoi poshtë në parking para bllokut të pallatit. Një grumbull grash me sari lloj -lloj ngjyrash ecnin në drejtim të një makine, duke folur me padurim me njëra – tjetrën. Asnjërën s’e njohu. Të dielën shkoi në kishë. Famullitari ishte një nga shokët e klasës së babait dhe e kishte vizituar një herë para disa viteve kur ishte një adoleshente e re. Teksti ishte nga Mateu: “Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët dhe të padrejtët.” Ajo këndoi himnet me gjithë sinqeritet. E mori kungimin. Pastaj zbuloi se ishte njëra nga të fundit që u largua. Famullitari rrinte te dera duke përshëndetur me duar, dhe ajo e prezantoi veten. E tha emrin e saj me një pritshmëri absurde, që ai do ta njihte menjëherë. – E diel e mbarë, tha ai. Ashtu siç iu tha edhe të tjerëve. Kështu që, ajo qëndroi në shesh në një të diel boshe e të shpërndarë në të gjitha anët. Kjo është diçka që ju ndodh të gjithëve, tha me vete. Më vonë, atë pasdite shkoi të merrte karamele në stacion. Qëndroi jashtë kioskës një kohë të shkurtër duke kërkuar Lejlekun, por ai s’ishte aty, banka ishte e zbrazur nën dritën e diellit. Një çift i ri duke mbajtur fëmijën e tyre në duar kaluan pranë saj. Ajo iu buzëqeshi, por ata s’e panë. Ajo qëndroi me buzëqeshje të papërshtatshme.
Në mëngjesin e të hënës kur arriti në zyre, ajo largoi buqetën të pragu i dritares, thjesht, s’u ndie e rehatshme me ato lule. Pastaj, mori dosjen dhe shkoi lart te Danielsen. Ai ishte ulur në tavolinën pedante, duke lexuar disa gazeta.
-Po, vajza ime? tha ai.
-Kjo s’është e drejt, tha ajo. Çfarë ka bërë gabim ky burrë në të vërtetë?
-Kjo është diçka për çka ne s’kemi nevojë të spekulojmë, tha Danielsen. Është krejtësisht legale dhe kjo mjafton për ne, vetëm duhet të mbledhim para.
-S’është e mjaftueshme për mua, tha ajo. Ai ia hodhi asaj vështrimin juridik të mbushur me skepticizëm dhe ironi.
-Ti je një jutlandere shumë kokëforte, tha ai.
–Ka diçka që quhet drejtësi, tha ajo.
Ai u ngrit në këmbë dhe dytë u përballen me fytyrë me njëri – tjetrin.
– Akoma po vjen aromë e këndshme në zyrën tënde? pyeti ai. Papritur i vendosi duart në krahët e saj të zbuluar; ajo s’mund të lëvizte, dhe ndiente dridhje të ftohti te shpina e saj. Ai futi dorën nën bluzën e saj dhe ia preku gjinjtë, dora e tij e ftohtë ia lëmoi lëkuren e saj. Ajo e shtyu nga vetja. Zemra e saj u godit, e gjitha u dridh, ndaj iu desh të mbahej në tavolinë. Ishte shumë e çuditshme. Danielesen rrinte dhe shfletonte nëpërmjet një dosje sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
-Drejtësia është një gjë qesharake, tha ai.
-S’është edhe aq qesharake, tha ajo. Ai qeshi. – Është vështir të jesh i shenjtë në qytet, tha ai – a s´mendon kështu? Ajo hapi derën dhe kaloi në korridor, ku dy njerëz nga një tjetër departament ishin duke folur te kopjuesi, dhe asnjërin prej tyre s’e njohu. Ajo kaloi pranë tyre dhe vrapoi shkallëve poshtë sikur të mos ishte mjaftueshëm shpejt. Poshtë, në vendin e saj mori buqetën nga pragu i dritares, e çoi jashtë dhe e hodhi me vazo dhe çdo gjë ne të, në koshin e plehrave.
Nën katin e sipërm të stacionit rrinte Lejleku. Binte shi dhe ai këndonte. Një gëzim i madh e mbushi. Ajo ishte jashtëzakonisht e lumtur, vrapoi dhe e përqafoi. Sikur të ishte një i afërm i saj.
-Zonjushë e re, tha ai, ti mund të hysh brenda dhe të na sjellësh një birrë. Ajo nxitoi në kioskë. –Kam nevojë për birrë- një gjysmë pakete, tha ajo. Ata qëndruan dhe pinin dhe shikonin përtej shiut, se si njerëzit vraponin te biçikletat ose te autobusët.
Rrufeja e largët gjëmoi dhe retë e mëdha e errësuan qiellin.
–Nëse vazhdon të kryesh nevojën në shtratin tënd, një ditë do të mbytesh nga muti yt, tha Lejleku.
Ajo qeshi.
–Është vështir të bëhesh i shenjt në qytet, tha ajo.
Shiu ndaloi. Pika të rënda e përplasen asfaltin para strehës, uji u spërkat në këpucët e tyre. Një rreze drite kërciti drejt në qiell. Ajo s’kishte parë asgjë më të mrekullueshme. Papritmas një bubullimë u dëgjua nga lart. Ishte sikur çdo gjë të ishte tronditur nga një grusht i madh, dhe toka u dridh nën këmbët e tyre. Për një sekondë bota mbajti frymën. Shiu pushoi. Pastaj stuhia shpërtheu me zell, bubullima kaloi në seri përsëritjesh; çdo gjë u bë e zezë. Drita frushkulloi nëpërmjet ajrit dhe grisi në re në një britmë të patundshme. Dritaret e kupës qiellore u hapën, uji u derdh nga qielli dhe e përfshiu sheshin e stacionit. Njerëzit u grumbulluan bashkë nga shkallët, në podium e stacionit. Lejleku hodhi xhaketën dhe e nxori bluzën mbi kokën e tij. Trupi i tij ishte i dobët dhe muskulor dhe lëkura e tij shkëlqente bardh në dritën e egër. Ai kërceu jashtë në shi. Uji i kullonte nëpër këpucët e tij të shqyera. Ai ngriti duart e tij si një valltar dhe këndoi me gjithë fuqinë e tij. Ajo e vuri shishen poshtë dhe i zbathi këpucët. Pastaj, shkoi jashtë në shi, tek ai. /EXLIBRIS