Arbitri gjerman Felix Zwayer është caktuar për të gjykuar gjysmëfinalen e Euro 2024 mes Anglisë dhe Holandës në Dortmund. Ai është një zyrtar me të cilin Jude Bellingham është përplasur më parë në të njëjtin stadium.
Në vitin 2021, kur Bellingham ishte te Borussia Dortmund, mesfushori anglez mori një gjobë prej 40.000 euro (43.320 USD) për komentet që bëri në lidhje me gjyqtarin Zwayer pas humbjes 3-2 të skuadrës së tij nga Bayern Munich.
Dortmundi kishte pretendime për një penallti të padrejtë, përpara se lideri i Bundesligës, Bayern të shënonte nga pika e bardhë për të marrë të tre pikët kundër rivalit të tij më të afërt. Asokohe Bellingham u zemërua dhe foli më pas.
“Mund të shikoni shumë vendime në lojë. Ju i jepni ndeshje një arbitëri, që ka trukuar ndeshjen më parë në Gjermani. Çfarë prisni?” tha në atë kohë Bellingham.
Komentet e tij i referoheshin një periudhe në karrierën e Zwayer-it, të cilën ai do të kishte preferuar ta linte pas. Në vitin 2005, gjyqtari Robert Hoyzer u dënua me dy vjet e pesë muaj burg për rolin e tij në një skandal masiv të trukimit të ndeshjeve, që tronditi futbollin gjerman. Megjithëse, Zwayer ishte një nga ata që raportoi dyshimet e tij, ai nuk shpëtoi dhe u ndëshkua.
Zwayer u dënua me gjashtë muaj nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB) për pranimin e 300 eurove nga Hoyzer, pasi pranoi të merrte vendime të gabuara gjatë një ndeshjeje, ndërsa ai ishte ndihmës gjyqtar.
Ai mori një pushim të shkurtër pas komenteve të Bellingham, por që atëherë ka arbitruar finalen e Ligës së Kombeve 2023 dhe në Euro 2024, gjyqtari Zwayer ka drejtuar tre ndeshjeve para gjysmëfinales.
UEFA nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga Reuters në lidhje me emërimin e Zwayer për ndeshjen e së mërkurës.