“Pas 5 sezoneve te Juventusi dhe 5 viteve në Torino dua t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj.
Të gjithë ju që keni qenë aty për mua. Klubin dhe gjithë stafet. Dhe ju tifozë, gjithnjë pranë dhe shumë të afeksionuar.
Faleminderit për gjithçka Juventus, mirupafshim dhe fat të mbarë“.
Me këtë mesazh në Instagram të shoqëruar me një video të shkurtër, Adrien Rabiot u jep përfundimisht lamtumirën bardhezinjve.
Mesfushorit francez i skadoi kontrata në datën 30 qershor, teksa nuk rinovoi me klubin historik.
Dhe tani është në kërkim të një tjetër skuadre. Zërat e merkatos për 29-vjeçarin nuk mungojnë.
Ka që flasin për një qëndrim në Itali tek Interi ose Milani, ose dhe mundësinë për të shkuar në Spanjë te Reali i Madridit.
Fjalët e Rabiot kanë përcarë popullin bardhezi.
Që e ka mbushur me mesazhe, ose për ta falënderuar ose në disa raste për ta kritikuar për zgjedhjen për të mos rinovuar me Juventusin.
Gjithsesi pavarësisht opinioneve ajo që mbetet është se Rabiot i ka dhënë fund aventurës me “Zonjën e Vjetër”.
Eksperiencë gjatë së cilës mesfushori fitoi në total një titull kampion, dy Kupa Italie dhe një Superkupë.