Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, sot në raportimin vjetor në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend bëri një gafë të madhe teksa solli në vëmendje rastin e auditimit te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vitin 2021 për një sasi akulloresh me përbërës të rrezikshëm, për të cilat ai tha se AKU nuk kishte kryer asnjë veprim.

PRETENDIMI I PAVËRTETË

“AKU është njoftuar menjëherë nga sistemi europian RASFF (RAPID Alert System for Food and Feed) dhe duhet të merrte masa për të ndaluar qarkullimin e akulloreve të kontaminuara. Oksid Etileni shkakton kancer, leuçemi, ndikon në aftësinë riprodhuese tek meshkujt. AKU nuk kreu asnjë veprim, nuk e bllokoi këtë produkt”, deklaroi kreu i KLSH-së.

Por faktet janë ndryshe dhe është e pakuptueshme përse kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjodhi të gënjente deputetët në Komisionin e Ekonomisë dhe publikun të tërësi, duke e ditur që kjo është një çështje me sensibilitet të lartë dhe që krijon pasiguri të konsumatorët.

FAKTI

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë njoftim nga sistemi RASFF (RAPID Alert System for Food and Feed) më datë 30.07.2021, për produktin i cili ishte shpërndarë 5 muaj para njoftimit. Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat për ta tërhequr nga tregu të gjithë sasinë e mbetur të akullores. Po kështu janë njoftuar konsumatorët dhe është asgjësuar produkti kundrejt procedurave ligjore. Për të gjitha këto veprime, AKU ka njoftuar zyrtarisht edhe vetë sistemin RASFF sipas emailit më poshtë, që mban datën 23 gusht 2021.

Deklaratat e kreut të KLSH-së janë vlerësuar me shqetësim edhe nga deputetët e pranishëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

“Kërkova në internet lajmin dhe më rezulton se AKU e ka tërhequr nga tregu produktin. Dhënia e këtij informacioni nga ju ka sensitivitet të lartë sikundër është shëndeti. Të thoni që nuk janë marrë masa, për mua është një pohim shumë i rëndë. Të thuash sot në 2024 që ende nuk janë tërhequr akullore. Përgjegjësia e fjalës është shumë e madhe. Besoj që do duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi deputetja Blerina Gjylameti.

Një ballafaqim të këtyre që tha kryetari i KLSH-së dhe punën e bërë nga AKU-ja për këtë rast kërkoi edhe deputetja tjetër Milva Ekonomi.

Ndërkohë kryetari i komisionit, Eduard Shalsi, e pyeti me habi kreun e KLSH-së se përse këtë rast të vitit 2021 e ka sjellë si shqetësim 3 vite me vonesë. Pritet që kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë çështje dhe për pyetjet e tjera të deputetëve të japë nesër shpjegime në një seancë tjetër në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.