Sulm të organizuar i cilësoi kreu i qeverisë Edi Rama lajmet sipas tij të rreme që po përhapen për turizmin në vend, dhe për këtë, ai tha se strukturat kibernetike janë vënë në lëvizje.
Në emisionin Repolitix në Report Tv, gazetari Flogert Muça u shpreh se ka agjenci turistike të lidhura me resorte në Greqi, të cilat paguajnë media të ndryshme shqiptare për të publikuar artikuj që të njollosin sektorin e turizmit në Shqipëri. Muça tha për gazetarin Denis Minga se ka një propagandë të okrestuar kundër turizmit.
‘Ka propagandë të orkestruar dhe që bien pre e asaj. Momenti kulminant kur njerëzit shkojnë për të bërë pushimet janë pas 15 korrikut.
Të vijosh dhe të thuash se në Korfuz është me lirë se në Shqipëri kjo është e pavërtetë. Ka plazhe në Shqipëri që është shumë më lirë, kjo është propagandë që ju e bëni pa qëllim dhe i shërbeni turizmit të huaj. Kompani turistike shqiptare që janë të lidhura me rezorte në Greqi paguajnë në mediat shqiptare lajmë që thonë se Shqipëria është shtrenjtë, është e pisët e kështu. Mua më është ofruar dhe e kam refuzuar.’- tha Muça.
Ish-zëvendës ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi tha se shkaku i braktisjes së zonave bregdetare në jug të vendit sidomos gjatë javës janë rritja e çmimeve.
‘Ne e kemi parë që plazhet janë bosh. Ka një zbrazëti në krahasim me vjet. Ndërkohë që numri i hyrje-daljeve ka qenë shumë më i lartë shikojmë se nuk reflektohet, siç duhet në territorin shqiptarë. Për mua është rritja e çmimeve në zonat bregdetare.’- tha Çuçi.