Spanja fitoi 2-1 kundër Gjermanisë pas 120 minutave lojë dhe iberikët kaluan në gjysmëfinalet e Euro 2024, ku do kenë përballë Francën. Heroi i Spanjës në çerekfinalen ndaj Gjermanisë ishte mesfushori Mikel Merino, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 119.
Ajo që ra në sy ishte festimi i mesfushorit 28-vjeçar. Ai vrapoi rreth flamurit të këndit, një veprim që është komentuar shumë në rrjetet sociale, por shpejt u mësua se heroi i Spanjës kishte kopjuar në këtë mënyrë babanë e tij.
Në të njëjtën mënyrë, në të njëjtin stadium, atë të Stuttgartit, Angel Merino festonte golin e tij për Osasunën në fitoren 3-2 në Kupën UEFA në nëntor 1991. ‘’Në fillim nuk e besova. Nuk pashë e topin pasi e godita me kokë. Vetëm dëgjova një heshtje të pabesueshme, pashë të gjithë lojtarët që erdhën dhe u hodhëm mbi mua dhe kuptova që po, kishte përfunduar në rrjetë’’, tha Merino.