Rritja e pagave dhe shtimi i roleve të reja të mësuesve në shkolla u diskutua sot në takimin që zhvilloi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë.
“Nga sot, 1 korrik, rritja e pagave për mësuesit bëhet një realitet i prekshëm. Arsimi është prioritet mbi prioritetet dhe janë mësuesit ata, që do të kenë një mbështetje domethënëse, duke e çuar pagën mesatare në 950 euro. Një rritje domethënëse do të njohin pagat e mësuesve të arsimit fillor dhe atij 9-vjeçar, duke ngushtuar hendekun krahasuar me pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë, duke njohur rolin vendimtar që kanë në formimin e nxënësve mësuesit e arsimit fillor, që në moshën e hershme, për të vijuar me mësuesit e arsimit 9-vjeçar dhe ata të arsimit të mesëm”, tha Ministrja Manastirliu, e cila shtoi se nga kjo politikë e rritjes së pagave përfitojnë rreth 30 mijë punonjës arsimorë.
Ministrja Manastirliu lajmëroi gjithashtu shtimin e roleve të reja në shkollë, me mësuesit-koordinatorë, të cilët do të angazhohen për performancën dhe cilësinë e mësimdhënies. “Do të shtojmë rolet e reja në shkolla, si ai i mësuesit-koordinator për cilësinë e mësimdhënies në shkollë; mësuesin-koordinator për orientimin e karrierës në shkollë, role që vijnë edhe me një klasifikim në mbështetje page, sepse do të jenë mësues të dedikuar, që përmbushin kriteret specifike, që do të funksionojnë brenda shkollës dhe do të angazhohen ekskluzivisht për matjen e performancës dhe cilësisë së mësimdhënies së mësuesve, për të mbështetur planet e trajnimit dhe kualifikimit të tyre”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se kjo rritje e pagave do të shërbejë edhe si motivim për të rinjtë që të zgjedhin profesionin e mësuesit. Janë 30 mijë mësues që përfitojnë nga rritja e pagave, e cila hyn në fuqi sot, më 1 korrik 2024. Përveç mësuesve, rritje të konsiderueshme page kanë patur edhe punonjësit psiko-socialë dhe punonjësit e sigurisë në shkolla.