Në bashkinë e Himarës është duke u zbatuar projekti “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” i cili ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Projekti parashikon sistemimin, grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur duke përfshirë edhe përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese.
Krahas ndërtimit të impiantit, pjesë e projektit është edhe shtrimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotur, rreth 15 kilometra, në qytetin e Himarës dhe në Himarë fshat, së bashku me lidhjet nëpër shtëpi dhe pusetat, të cilat përmes disa stacioneve të pompimit do të grumbullohen në impiantin i cili është në fazën e ndërtimin.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që inspektoi punimet, e konsideroi projektin një nga kantieret më të rëndësishme përsa i përket sistemimit të ujërave të ndotur. Balluku tha se programi që po zbatohet parashikon ndërhyrje edhe në zona të tjera përgjatë bregdetit.
“Do të bëhet një punë shumë e mirë me përfundimin e lotit 3 të “Programit IV”. Ne do të vazhdojmë pasi bëhet fjalë që do të trajtohet e gjithë pjesa e jugut. “Programi IV” është një program kompleks. Parashikohet që të ketë ndërhyrje edhe në zonat e tjera, siç është pjesa e Orikumit, pjesa e Dukatit, për të cilën duhet të jemi të përgatitur tashmë që do të marrë një zhvillim tjetër për shkak të tunelit”, u shpreh ministrja.
Përmes tij do të mbulohen të gjitha subjektet tregtare që janë pjesë e bregdetit, si dhe 80% të volumit të banesave individuale.