Ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit i kanë kërkuar në seancën e djeshme në Hagë të heqë kravatën që kishte vendosur me motive kuq e zi dhe me simbolin e shqiponjës.
Lidhur me këtë incident ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila përmes një letre ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar çështjen e heqjes së kollares së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore të së hënës në Speciale. Ministrja në letrën e shkruar e cilësuar veprim i Gjykatës Speciales si një akt absurd.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Haxhiut drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara.
Gjithashtu edhe avokatët mbrojtës të Krasniqit kërkuan sqarime se pse ish-zëdhënësit të UÇK-së nuk i është lejuar kravata në seancë, ndërsa gjyqtari Charles Smith III kishte thënë se do të interesohej për këtë çështje.
Një reagim ka pasur edhe vajza e Krasniqit, Gresa Krasniqi. Në një postim në rrjetet sociale, ajo shprehet se babait të saj “mund t’ia zhveshin shqiponjën nga gjoksi, por kurrë nga zemra”, madje duke e krahasuar atë me Mic Sokolin.
“Sot, 25 vjet nga demilitarizimi i UÇK-së, ja marrëveshja që u firmos nga Hashim Thaçi e KFOR në 1999“Mic Sokoli me gjoksin e tij kishte pritur gjylen e topit sepse dëshira per çlirim dhe liri ishte më e madhe se jeta prej zvarraniku. Mic Sokolët sot, me gjoksin e tyre presin padrejtësitë e këtij shekulli ndonese mbi supet e tyre rëndojnë plagët e pa sheruara të një populli të shtypur e te vuajtur! Mic Sokoleve sot, nga gjoksi mund nga t’ia zhveshni shqiponjën, por kurrë nga zemra”, ka shkruar ajo.