Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut të Fierit mëngjesin e kësaj të hëne për të marrë pjesë në seancën e hapjes së Parlamentit të ri Evropian në Strasburg.
Beleri duke folur para gazetarëve grekë jashtë ambienteve të burgut, i falenderoi ata për mbështetjen që i kanë dhënë.
“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve. Jam i prekur dhe i lumtur, për pjesën tjetër do të flasim në Athinë”.
Më pas ai hipi në një makinë të ambasadës greke për të udhëtuar drejt aeroportit të Rinasit nga ku u nis për në Athinë. Pas ndalesës në Athinë, Beleri pritet të udhëtojë në Strasburg pë rtë marrë detyrën si eurodeputet.
51-vjeçarit, i zgjedhur si eurodeputet nga Partia Demokracia e Re e kryeministrit Miotsotakis, iu dha një leje pesë-ditore të dielën. Ai duhet të qëndrojë në kontakt me policinë dhe të kthehet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me dy vjet.
Ligjvënësit e Parlamentit Evropian gëzojnë imunitet ligjor nga ndjekja penale, edhe nëse akuzat kanë të bëjnë me krimet e kryera para zgjedhjes së tyre. Në rastin e Belerit, megjithatë, ky rregull nuk ka gjasa të aplikohet, pasi ai po vuan dënimin për një krim të kryer në një vend jo anëtar të BE-së.
Kujtojmë se në maj të vitit 2023, dy ditë para zgjedhjeve për kryetar bashkie në Himarë, Fredi Beleri u arrestua si i akuzuar për blerje votash.
Në mars të vitit 2024, GJKKO e shpalli fajtor dhe u dënua me dy vite burgim.
Pas vendimit të dënimit të formës së prerë në Apel , Beleri humbi mandatin e kryebashkiakut nga KQZ, duke bërë që të shpallen sërish zgjedhje në Himarë, të cilat do të mbahen më 4 gusht.