Nga Bardha Nergjoni

Shkrimtarin tashmë tetëdhjetëvjeçar, e gjen në kafenenë e preferuar në anë të Kodrave të Liqenit në kthimin më të fundit në Tiranë. Botuesi dhe miku i tij, Bujar Hudhri e shoqëron në kafen e mëngjesit aty rreth orës 11.00, duke mos ndryshuar edhe në Tiranë e zhurmshme rutinën prej shkrimtari. Takimi me të, i organizuar rastësisht, ishte emocionues dhe, njëkohësisht me drojën se fjalët për vështirësinë e komunikimit me Kadarenë do të ishin të vërteta, e bënin akoma më shqetësues momentin e parë të njohjes. E pasigurtë dhe me frikë se do të shprehesha gabim, fillova të diskutoj me Hudhrin për një fakt që atë mëngjes e kishte mërzitur Kadarenë. Një studiues kishte botuar së fundmi një libër ku flitej për fenomenin inçest si një gjetje e madhe, kur vetë shkrimtari e kishte trajtuar tek “Kush e solli Doruntinën” shumë vite më parë.

“Të ngresh një libër mbi një zbulim të tillë duket skandaloze”, shprehet ai, ndërsa e shikon realitetin shqiptar të zymtë në respektimin e të drejtës së autorit. Më pas fillon e më pyet për Elbasanin, për shtëpinë e Kristoforidhit dhe biseda merr rrjedhën e saj të natyrshme. Më pyet për mënyrën se si funksionojnë mediat në Shqipëri, për pagat e gazetarëve, për fenomenet më shqetësuese, pra për realitetin e sotëm shqiptar.

M’u duk sikur kisha marrë një rol tjetër në këtë bisedë, atë të intervistuarit. Kadare kishte pak ditë në Tiranë dhe do të vazhdojë të qëndrojë për rreth katër javë.

Dalëngadalë mundohem të marr rolin tim si gazetare në bisedë, edhe pse Kadare ishte kundër një interviste pyetje-përgjigje. Nuk duhet të humb mundësinë t’i bëj pyetje, mendova, dhe vendos t’a pyes si u ndje për 80-të vjetorin, për shtëpinë e tij të restauruar në Gjirokastër, letrën që i dërgoi kryebashkiakes dhe arsyen pse nuk erdhi në janar në Shqipëri.

“Ndjehem 100 vjeç. Jam shumë i plakur. Pra nuk erdha qëllimisht, edhe pse arsye për të shkuar në Gjirokastër kam shumë. Nuk e përballoj dot një situatë të tillë. Të lodh situata, njerëzit, aktivitetet, hyrje-daljet… Njerëzit nuk e kuptojnë dhe nuk jep dot një justifikim pse nuk i bën disa gjëra. Ata mendojnë: ‘ne e nderojmë dhe ky nuk do’, por nuk është ashtu.”

E ndërkohë, biseda për shtëpinë të shton kureshtjen për t’a pyetur se çfarë mendon ai për restaurimin. “Në fakt u deshën kaq shumë vite, që ajo shtëpi të restaurohej dhe arsyeja duket se është shumë e vjetër pse u vonua. Ka pasur një lloj fobie ndaj shtëpisë sime. Ajo ishte gjigande, ndërkohë në anën tjetër, te ‘Sokakut i të Marrëve’ qëndronte shtëpia e Enver Hoxhës. Ajo u ndërtua nga e para në vitet 60-të dhe u reklamua si shtëpi e vjetër, por nuk është e vërtetë. Para se të ndërtohej ishte një shtëpi e rëndomtë. Gjithmonë ka pasur një lloj ‘hakmarrjeje’ ndaj shtëpisë sime, në atë kohë dhe tani.”

E ndërsa biseda vazhdon dhe Kadare kthehet sërish kurioz në rolin e intervistuesit, më pyet për qytetet që më pëlqejnë. Më vjen në mendje Firence. Ky qytet i ka të gjitha: historinë, artin, por Kadare më befason. “Firence është një qytet i mërzitshëm, pa jetë”. Tentoj ta krahasoj me Parisin pasi të dy qytetet kanë nga një lumë përmes, por Kadare sërish vazhdon të jetë i mendimit se Firence të mërzit. “Edhe Parisi është i mërzitshëm. Ka lagje që janë tepër të mërzitshme në Paris”.

Gjithsesi arsyet nuk duken bindëse dhe duke kërkuar arsyen e vërtetë, Kadare pasi mendohet për këtë mosdashuri ndaj qytetit të Rilindjes, në fund të bisedës e gjen shkakun. “E gjeta! Firence nuk më pëlqen se dëboi Dante Aligerin. Edhe sot ata e urrejnë Danten. Edhe varrin e ka në një qytet tjetër. Ja pse Firence më duket qytet i mërzitshëm.”

Edhe për Kadarenë shqiptarët janë të ndarë mes dashurisë dhe urrejtjes, mes faktit se është më i madhi i letrave shqipe, dhe faktit që ishte i përkëdheluri i sistemit, faktit, që u largua dhe nuk qëndroi dhe gënjeshtrave të fabrikuara ndaj tij që shpesh ia turbullojnë qetësinë edhe tani.

“Është hedhur shpesh baltë dhe janë fabrikuar gënjeshtra për mua që rikthehen dhe vazhdojnë të shqetësojnë. Një ndër gënjeshtrat e fabrikuara në vitet 90-të ishte shprehja ‘Emigrantët janë jashtëqitja e kombit’. Një gazetë internacionale e rikthen një vit më parë këtë gënjeshtër dhe e komenton duke aluduar sërish se unë kam thënë këtë shprehje. Ndër të tjera në shkrim shkruhen fjalë të tilla si: ‘Nuk i kam mbajtur pishën në e ka thënë apo jo’ e të tjera aludime. Artikulli botohet në gjuhë të huaj. E botojnë serbët, rumunët dhe grekët më pas. Njerëzit nuk e analizojnë shumë por e lexojnë sikur shkrimtari Kadare paska sharë emigrantët. Pati reagim, në fakt. Një mjek në Amerikë, Minella Aleksi quhej, e bëri problem shkrimin e Ardian Vehbiut duke e kundërshtuar ashpër. Autori i shkrimit ngrihet e thotë se nuk ka thënë që është e vërtetë, por mundet të jetë apokrife, që do të thotë e diskutueshme. Unë bëra një deklaratë të shkurtër në atë kohë duke thënë se çdo dizinformimi duhet t’i shkohet deri në fund. Kam bërë gabim që nuk kam reaguar me kohë për këtë gënjeshtër të madhe të përhapur në emrin tim. Është një gënjeshtër kriminale që ka vazhduar për 25 vjet. Për herë të parë kjo shprehje është shpërndarë kur ika unë me Helenën. U shpik në Komitetin Qendror nga Nexhmije Hoxha e tërë këlyshët e e asaj kohe dhe e hodhën në opinion. Për të mos më sharë mua, gjetën këtë mënyrë për të më sulmuar duke shpërndarë një të pavërtetë të dëmshme. Kjo ishte nga ato gënjeshtrat të cilës nuk i vura rëndësi në atë kohë. Unë ika vetë emigrant e nuk kisha si të thoja këto fjalë për emigrantët, mirëpo ishte një mënyrë vulgare që zuri vend. Agjentët e sigurimit në Shqipëri ishin me mijëra. U dha urdhër të përhapej kudo kjo gjë. E shpërndanë dhe herë pas here rikthehet derisa vjet doli në skenë sërish. Është një nga ato gënjeshtrat për të cilën nuk reagova në kohë dhe bëra gabim. Sistemi amerikan është: ‘jep përgjigje për çdo gjë’ dhe ka të drejtë.”

Ai është shkrimtari më i njohur shqiptar nëpër botë i përkthyer masivisht në vitet 70-të në disa gjuhë. E megjithatë, Kadare sjell fakte se letërsia shqipe është e njohur ndërkombëtarisht gati 3 shekuj më parë autorët e veriut dhe bilingualizmin e tyre. Po kështu, ai shprehet se letërsia shqiptare ka 100 vjet që është zyrtarisht e njohur në botë me “Albanikus” i Pashko Vasës, një roman shqiptar i botuar në Paris.

E ndërsa bisedës duket se po i vjen fundi, e minutat fillojnë numërimin mbrapsht, unë mundohem të shfrytëzoj edhe këto momente duke i drejtuar ndonjë pyetje kurioze nëse do të shkojë në Gjirokastër së shpejti. Nga përgjigjja duket se qyteti i lindjes dhe shtëpia e restauruar janë në planet e tij gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, por Kadare nuk ka qëllim të lëvizë shumë dhe të takojë mjaft njerëz. Me fletët e tij të formatit, shënimet në letër në një kollonë që të lajmërojnë për një poezi të radhës, Kadare mbyll kafen e tij dhe bisedën e përbashkët, për të vazhduar një shëtitje me mikun e tij, Bujar Hudhri. Disa pyetje nuk morën përgjigje, ca të tjera mbetën pjesë e një komunikimi njerëzor që rrodhi natyrshëm me një Kadare që në asnjë moment nuk më bëri të ndjehem inferiore./tesheshi.com