Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e modeles Kejvina Kthella për rikthimin e makinës së sekuestruar nga GJKKO. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi më 8 shkurt kërkesën e SPAK për konfiskimin e 9 prej pasurive të Redjan Rrajës dhe familjarëve të tij, përfshirë edhe makinën luksoze “Audi” të cilën ia kishte dhuruar modeles.
Bëhet me dije se në konkluzionet e paraqitura në gjykatë nga SPAK në kuadër të hetimit pasuror të Rrajës, i cili është i dënuar përjetë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019 në Durrës, thuhet se këto pasuri janë blerë nga ai me para që vinin nga veprimtari të jashtëligjshme. Konkretisht bëhet fjalë për 5 pasuri të paluajtshme, 3 prej të cilave në emër të bashkëshortes së tij Marsela Çiça.