Komisioni i Ekonomisë ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku debatet nuk kanë munguar. Diskutimet nisën pasi nga KLSH është kërkuar të shkarkohet drejtoresha e përgjithshme e buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Sipas KLSH, Dhëmbi ka bërë keq klasifikim investimesh, probleme me fondet për rindërtimin, shkelje me ndarjen e buxheteve, mungesë monitorimi për detyrimet e prapambetura pasi nuk raporton vlerën e saktë. KLSH ka kërkuar largim nga shërbimi civil të saj, për mos respektim të disiplinës fiskale në të gjitha procedurat e buxhetit.
Kërkesa e KLSH
RAPORT PËRFUNDIMTAR AUDITIMI NË MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË “AUDITIM I PËRPUTHSHMËRISË (tetor 2023)
-“Largim nga shërbimi civil” neni 57, pika 2 dhe neni 58 germa (ç) e ligjit nr. 153/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar:
1. Për znj. M. DH., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit:
– Për problematikat në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin 398 e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura, mungesën e monitorimit të stokut të detyrimeve të prapambetura, pasi nuk raportohet në vlerën e saktë dhe mbetet jashtë treguesve të konsoliduar fiskalë, gjenerimi i penaliteteve nga mos ekzekutimi në kohë i vendimeve të GJEDNJ; për përdorimin e fondit rezervë për rastet që duhet të përfshihen në ciklin normal të shpenzimeve referuar kriterit të parashikueshmërisë dhe dhënien e mendimit të MFE në kushtet e mungesës së dokumentacionit shoqërues të projekt akteve, duke ekspozuar cënueshmërinë e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave; rishikimeve buxhetore përtej afateve të përcaktuara në kuadrin rregullator në fuqi dhe pas periudhave kur është mbyllur raportimi i treguesve fiskalë faktikë.
Ndërkohë pas kësaj kërkese, deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi, ka ftuar në Komisionin e Ekonomisë Dhëmbin për të bërë një ballafaqim të saj me KLSH-në. Sipas tij Dhëmbi nuk ka asnjë precedent të tillë.
Eduard Shalsi: Kur e keni lexuar këtë gjë, çfarë keni ndjerë, a ka patur ballafaqim, ka patur opinion, jeni njohur paraprakisht, ju është dhënë njoftim. Ne e kemi gjykuar që ishte e domosdoshme, sepse kemi dëgjuar një paragraf nga mediat, por nuk po gjej një person, edhe nga opozita, qoftë edhe një të vetëm, që mos të flasë për eksperiencën tuaj të gjatë. Dhe ne natyrisht na duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Ndjeheni e shqetësuar që jeni thirrur në Komisio, aopo ndjeheni më shumë e shqetësuar që në final të kësaj karriere keni një paragraf të tllë? E kemi kërkuar sepse Moza Dhëmbi nuk është person dosido. Ndaj e kemi ftuar në komision. Në dijeninë tonë nuk ka precedent të tillë për një punonjëse me një formulim të tillë.
Partia Demokratike është kundër, pasi thonë se po shkelet rregullorja, sepse nuk mund të raportojë një nëpunës në Komision e Ekonomisë sepse nuk parashikohet.
Pjesë nga debati:
Arben Shehu: Kjo situatë nuk ka lidhje me detyrimin tonë për të raportuar për këtë çështje. Është një precedent i pabazë ligjërisht për të thirrur të gjithë punonjësit e administratës për pretendimet e tyre.
Eduard Shalsi: Ku bazoheni që nuk thoni që është i bazuar ligjërisht.
Arben Shehu: Ne kemi detyrim raportimin vjetor, jo çështje të tjera.
Eduard Shalsi: është i vërtet që nuk është i ndodhur ky precedent, por në dijeninë time KLSH kurrë nuk ka një raport të tillë.
Arben Shehu: Jemi të vlerësimit, që kjo nuk është pjesë e detyrimit për të raportuar. Kërkoj të rishikoni vendimin tuaj, kjo do ti shërbej edhe ecjes përpara në bashkëpunimin institucional, për të përmirësuar ecurinë e punës.
Eduard Shalsi: Ajo nuk do të vendoset në siklet.
Mimoza Dhëmbi: Kam filluar punë që në 92’, dhe kam ndërruar 15-16 ministra.
Eduard Shalsi: Keni pasur raste të tjera ku janë marrë masa përballë jush
Mimoza Dhëmbi: Po është hera e parë, me KLSH-në kemi pasur bashkëpunim dhe ballafaqim deri në produktin final.
Eduard Shalsi: Si jeni ndjerë, jeni njohur paraprakisht për këtë raportin e KLSH?
Mimoza Dhëmbi: Ka qenë surprizë, për ne, kemi marrë raportin paraprak, dhe ishim të bindur që raporti vjetor s’do kishte surpriza. Ndërkohë që ishim në pritje të ballafaqimi këtë vit ai nuk u bë. Flasim për tetorin e 2023-shit, kur u bë buxheti faktik i 2022.
Gjini: A keni pasur kontakte me KLSH-në për konstatimet?
Mimoza Dhëmbi: Jo!
Ejron Braçe: Nëse unë kam një rezervë për atë që është thënë për drejtoreshën e buxhetit është që zyrtarët politik për ushtrimin buxhetor të mos fshihen por të mbajnë. Është e thjesht të bësh përgjegjës një zyrtar të çdo niveli. E para është përgjegjësi politike. Zbatimi i tij është mirëfilli akt ligjor por për fakt është dhe akt politik.