Në Spitalin Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë gati ambientet e reja të njësive të trajtimit ditor.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila ndau pamje nga këto njësi.
“Rilindur dhe pajisur me teknologji të fundit, këto njësi do të ndihmojnë rreth 65,000 pacientë me shërbime cilësore në Dializë; Toksikologji; Alergologji; Dermatologji; Reumatologji dhe Hematologji”, tha Koçiu.
Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Ky spital ka kapacitet 345 shtretër dhe ka 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.