Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi foli për ngritjen e Komisionit të Dezinformimit dhe Komisionin antikorrupsion, duke thënë se janë shumë të rëndësishme për vlerat e demokracisë dhe jo vetëm.
Gjithashtu ai shprehu keqardhjen që opozita nuk është bërë pjesë në këtë përpjekje për të vazhduar rrugën drejt modernizimit të shtetit shqiptar.
“Për komisionin që lidhet me antikorrupsionin është shumë me rëndësi për kushtet ku është Shqipëria sot dhe reformat për transformimin e shtetit në shtet Europian. Mendoj që e kemi ngritur në momentin kyç. Janë lënë shumë detyra dhe masa për t’u përmbushu. Duke qenë se shumica e detyrave apo masave dhe institucioneve të përfshira janë përtej qeverisë ne kemi marrë përsipër si parlament. Komisioni ka rëndësi për të shtruar presion pozitiv dhe për të qenë pjesëmarrës aktiv. Është një përsosje e shtetit të drejtës për ta bërë më modern dhe për të qenë një shtet i denjë anëtar në BE. Gjithashtu po kaq e rëndësishme është edhe Komisioni për Dezinformimin. Është komision për të koordinuar të gjitha përpjekjet për çdo tentativë që vjen nga vendet jo mike për të dezinformuar publikun shqiptar është i domosdoshëm. Është komision që e kanë ngritur disa vende”, tha ai.